Eliminimet, zhdukjet, vrasjet si pasojë e frikës nga e vërteta për krimet e luftës

02.02.2018 14:30:20

Nga Rexhep kastrati

Eliminimi i njerëzve të ndryshëm, qofshin këta që kanë kryer krime, qofshin që kanë qenë të përfshirë në krime, qofshin që kanë parë të kryhen krime, qofshin që kanë informacione, të dhëna dhe fakte për krimet të kryera, nuk është një dukuri e vitit 2018, as e viteve të fundit. Përkundrazi, eliminime të tilla kanë ndodhur qysh moti, për të mos thënë që nga kohë e luftës e këndej.

Nëse u referohemi informacioneve për vrasjet e personaliteteve të ndryshme politike, ushtarake e gazetareske, mund të thuhet se në të shumtën e rasteve janë eliminuar njerëz që mund të kenë kryer vrasjet, që kanë qenë të përfshirë, që mund të kenë informacione dhe fakte të ndryshme për këto, nga frika se mund të jenë dëshmitarë të institucioneve hetimore vendore apo ndërkombëtare.

Në rasin e Fetah Rudit, tre atentaturët janë eliminuar vpo atë ditë; në rastin e bekim kastratit dhe të Besim Dajakut, dy të dysharit si të përfshirë në vrasje, po ashtu janë eliminuar; në rastin e Haki Ymerit, del se atentatorët e mundshëm janë elimunuar apo zhdukur. Sigruisht, kjo listë e rasteve mund të jetë më e madhe, por edhe me kaq kuptohet se eliminimi i njerëzve të dyshuar si vrasës, të përfshirë në vrasje dhe që kanë pasur informacione dhe fakte, është një dukuri e hershme.

Mirëpo, eliminimet për të cilat e kam fjalën kur them se do të ketë vrasje të shumta, do të jenë eliminime për shkak të tradhtive, pabesive dhe eliminimeve të mëhershme brenda llojit dhe jashtë llojit, për krimet e mundshme ndaj qytetarëve dhe kategorive të ndryshme grupore, gjinore etj. Po ashtu, eliminimet që mund të ndodhin gjatë këtij viti e në vazhdim, mund të kenë të bëjnë me zbulimin e lidhjeve që individë dhe strukura mund të kenë pasur apo vazhdojnë të kenë me agjnetura serbe, ruse dhe me agjentura të tjera kundërshqiptare, me strukura mafioze të shteteve kundërshqiptare dhe aleate të Serbisë. Pra, tash bëhet fjalë për mundësinë që të merren vesh krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga vetë shqiptarët dhe për lidhjet agjenturore dhe mafioze që kanë pasur dhe mund të kenë.

Në aspektin territorial, vrasje të tilla do të ketë në Kosovë, në territoret shqiptare në shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, në shtete të ndryshme ku ka mërgatë dhe ku nuk ka mërgatë të organizuar shqiptare etj. Dhe këto eliminime do të mund të realizohen me pretekste të ndryshme që nga hesapet perosnale e deri te vdekjet e mistershme nga ndonjë sulm në zemëpr, nga ndonjë goditje në tru, nga kanceri etj. Këto eliminime do të mund të realizohen në atë mënyrë që të mos dyshohet se ato janë kryer nga strukura të caktuara.

Është e qartë se Gjykata speciale që ka tagrin të merret me krime lufte në Kosovë deri në fund të vitit 2000, ka mjaftueshëm hapësirë për të zbardhur ato krime, si dhe motivet e vërteta të tyre. Prandaj, edhe ka një frikë, ka një retorikë agresive, por edhe manipulative në emër të UÇK-së, për të nxitur edhe reagime dhe kundërshtime qytetare, si mënyrë për të provuar që të imponohen pazare, apo edhe të destabilizohet gjendja për të penguar arrestimet e mundshme.

Në fakt, prëpjekjet për të penguar miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për Dhomat e Specializuara, kanë qenë të forta edhe gjatë vitit 2015, kohë kur bie edhe rasti “Kumanova”, ku u eliminuan 14 shqiptarë, ndër ta edhe njerëz të njohur në Kosovë për afërsi me politikanë të caktuar dhe me drejtues partish politike.

Një nga motivet e angazhimeve anarkiste, destabilizuese dhe të dhunshme gjatë viteve 2015-2016 që përfunduan me rrëzimin e Qeverisë, më 2017, ka pasur të bëjë me pengimin e Gjykatës Speciale, me bindjen se në kushtet e destabilitetit, apo edhe të një Qeverie të përbërë kryekreje nga të prekurit e mundshëm nga Gjykata Speciale, do të jetë e pamundur arrestimi i personave të caktuar.

Në këtë kontekst duhet parë edhe deklaratën e komandantit të Forcave të Përbashkëta Aleate në Napol, admirali james Foggo, se NATO do të ofrojë siguri edhe nëse do të ketë arrestime për llogari të Gjykatës Speciale, gjithsesi duke vënë në pah se KFOR është forca e tretë e sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Kjo do të thotë se të gjitha forcat e sigurisë në Kosovë do të jenë në funksion të ruajtjes së stabilitetit dhe të pengimit të çfarëdo përpjekje për të destabilizuar vendin.

Në këtë kontekst, eliminimi i njerëzve që mund të jenë dëshmitarë të mundshëm, që kanë bërë dosje për shokët apo ish-shokët dhe njerëz që dinë si ka funksionuar skema e krimit, por edhe që dinë strukurën organizative dhe lidhjet me agjentura dhe me mafie të ndryshme, do të mbetet një nga mënyrat për të penguar apo vështirësuar funksionimin dhe efektshmërinë e Gjykatës Speciale!