Eliminohet edhe Murray, Australia Open humbet më të mirët

22.01.2017 10:18:13

Pas Novak Djokovic është eliminuar sot në mëngjes nga grand slemi i Australia Open edhe tenisti britanik Andy Murray, numri 1 në botë për meshkuj. Ai u mund 3-1 (7-5, 5-7, 6-2, 6-4) nga tenisti gjerman Mischa Zverev, në ndeshjen e vlefshme për raundin e katërt. Një eliminim surprizë i Murray, që luajti dobët, bëri shumë gabime dhe humbi një shans të mirë për të triumfuar në turneun që po zhvillohet në Melburn. Tenisti britanik ishte në një ditë të keqe, nuk arriti të tregojë shumë nga loja e tij dhe nga kjo situatë përfitoi 29-vjeçari Zverev, që ishte agresiv në shërbim dhe e meritoi fitoren.

Dy setet e para ishin me rivalitet, të mbyllura me shifrat 7-5, fillimisht për gjermanin e më pas për britanikun. Kur u mendua se Murray nisi të rikuperojë, Zverev tregon se nuk është dorëzuar, madje fiton lehtësi 6-2 dhe 6-4 dy setet e tjera dhe krejt takimin 3-1, duke avancuar për në çerekfinale. Kjo është hera e parë që Zverev shkon deri në këtë afzë të një grand slemi, ndërkohë që turneu australian humbet shumë shpejt dy tenistët më të mirë në botë. Pas pak, në fushë do të zbresë Roger Federer, që luan ndaj japonezit Kei Nishikori.