Eliot Engel: Askush nuk më besoi se Kosova do të jetë e lirë, por tani do ta keni çdo herë mbështetjen e Amerikës

20.11.2017 14:26:06
Kongresmeni amerikan Eliot Engel, i cili është duke qëndruar në Kosovë, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Ramush Haradinaj, ka thënë se në kohën kur ai filloi të merret me çështjen e Kosovës, askush nuk i besoi se Kosova një ditë do të jetë vend i pavarur dhe demokratik.

Në këtë konferencë të përbashkët, kryeministri Haradinaj, e falënderoi kongresmenin Engel për mbështetjen që ai personalisht i ka dhënë Kosovës, por edhe për mbështetjen e parezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Është kënaqësi e nder që këtë miqësi që e kemi nga kohët e vështirat ne populli i Kosovës me Amerikën po e thellojmë tani në avancimin e demokracisë, forcimin e lirisë për të gjithë ne që jetojmë në Kosovë për të gjitha komunitetet po ashtu. Ishte nder i madh që edhe dje në zgjedhjet lokale në raundin e dytë ju kishim ju pra si dëshmitarë edhe ta konstatojmë së bashkë se Kosova vërtetë është një demokraci premtuese. Kosova ende ka tema të hapura por edhe përcaktimin e saj euroatlantik. Në temat e hapura ne e kërkojmë ndihmën e juaj, ndihmën e Amerikës dhe po ashtu ju premtojmë që do ta nderojmë këtë ndihmë…. sot na bëtë nderë me adresimin që i bëtë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës për nderë të tuajin”, deklaroi Haradinaj.

Në këtë konferencë, kreu i ekzekutivit, i dhuroi edhe një pullë postale kongresmenit Engel.