Eliza Hoxha: Le ta bëjmë më të mirën për Kosovën

11.02.2018 17:16:05

Arkitektja dhe këngëtarja Eliza Hoxha mendon se ky përvjetor i pavarësisë së Kosovës është mundësi e mirë për të menduar se çka është shteti.

Ajo vlerëson se Kosova për 10 vjet nuk ka mundur t’i vë të gjitha punët në vijë, prandaj thotë se kërkohet durim dhe punë për ta realizuar ëndrrën dhe shtetin e vërtetë të Kosovës.

“Paslufta ka dëshmuar që shumica e njerëzve më shumë e kanë dashur idenë për Kosovën sesa vetë Kosovën”, thotë ajo.

“Ndoshta ky 10-vjetor do të ishte një reflektim i mirë dhe i nevojshëm për ne, për të filluar të mendojmë rreth idesë se çka nënkupton shteti për ne, a është kjo që kemi dashur, për çka kemi sakrifikuar aq shumë gjatë viteve ’90, dhe cili është qëllimi kah dëshirojmë ta shohim dhe ta çojmë Kosovën në të ardhmen”.

Eliza Hoxha, po ashtu, ka një përgjigje të veçantë për kuptimin e pavarësisë.

“Pavarësia nis me veten, nis me ty, me secilin prej nesh. Nëse nuk jemi të pavarur në mendjen tonë dhe në shpirtin tonë, mendoj që kot kemi një shtet që quhet si i pavarur”.

Pavarësisht pamundësive që Kosova i ka, ajo thotë se duke mos qenë pjesë e të gjithë mekanizmave relevantë, duke e pasur të cenuar lirinë e lëvizjes, fakti që ky shtet i ka 10 vjet nënkupton që nuk është e mundur që krejt gjërat të jenë në vijë.

“Duhet të jemi më të durueshëm dhe më të kuptueshëm, për të qenë bashkudhëtarë me të gjithë ata që janë pjesë e menaxhimit, orientimit dhe zhvillimit të Kosovës, që secili në pozicionin e vet të punojë dhe ta bëjë më të mirën e mundshme për një Kosovë më të mirë, për ta realizuar ëndrrën dhe shtetin e vërtetë të Kosovës”, thotë Hoxha.

Linku i videomesazhit: