Elmi Thaçi i AKR-së shpall fitoren në Drenas, në tubimin e fshatit Arllat

29.11.2016 12:16:38

Elmi Thaçi, kandidat i AKR-së për zgjedhjet e 4 dhjetorit në Drenas, të hënën në mbrëmje në një tubim elektoral në fshatin Arllat ka shpallur fitoren e tij në garën për kreun e Drenasin.

“Këtu para qytetarëve të Arllatit në këtë tubim madhështor, po të them president Behgjet Pacolli, se unë do të jem Kryetar i Komunës së Drenasit, në mbrëmjen e 4 dhjetorit”, ka thënë Elmi Thaçi.

“Për këtë jam i sigurt sepse drenicakët tani më nuk besojnë tek ata që u bënë milionerë duke vjedhur e plaçkitur këta banorë të mrekullueshëm që dhanë çdo gjë për shtetin e Kosovës”.

Thaçi ka shtuar se “qytetarët e Drenasit tash më janë të vetëdijshëm se ardhmëria e tyre është me AKR-në dhe vizionin e saj të zhvillimit ekonomik të Drenicës e cila për 17 vite u la në mjerim nga ana e PDK-së dhe milionerëve të saj”.

“Unë qëndroj prapa Elmi THaçit, çdo premtim të tij për zhvillimin e Drenasit do ta përkrahi financiarisht si në ndërtimin e fabrikave ashtu edhe në ndarjen e 200 bursave nga fondacioni im”, ka thënë presidenti Behgjet Pacolli.

Pacolli ka shtuar se “ndërtimi i fabrikave ku do të punësohen për 6 muaj 320 punëtorë, është vetëm një fillim i vogël i investimeve, pasi që për Drenasin kemi edhe projekte të tjera me rëndësi”.

“Drenicës ia kemi borxh që të investojmë sepse kjo trevë gjithmonë ka dhënë shumë për Kosovën, për këtë qëllim sot kam sjell këtu mikun tim Wiliam Copu, që ka dëshirë të investojë në energjetikë si në hidro ashtu dhe në atë të erës”, ka thënë Pacolli.