Ema Andrea rikthehet si regjisore

02.04.2018 15:55:42

Si do ndihej një nënë nëse fëmija i thotë qartë, ftohtë, vendosur, me bindje dhe pa emocion që mbrëmja që po kalojnë bashkë, është mbrëmja e fundit! Që kur të thotë natën e mirë, do hyjë në dhomën e vet dhe do vrasë veten…”Natën ma”, vepra e Marsha Norman rikthen Ema Andrean si regjisore, por këtë herë në skenën e Teatrit të Metropolit.

Në role kryesore interpretojnë aktoret Ilire Vinca dhe Egla Ceno. Eshtë hera e parë që kjo vepër ngjitet në skenën e një teatri në Tiranë, ndërsa më parë është vënë në skenën e Prishtinës. E shkruar nga skenaristja amerikane Marsha Norman më 1983 kjo dramë ka fituar Pulitzier dhe është nominuar për çmime të rëndësishme.

Vepra tregon fatin e një nëne dhe bijës së saj Xhesit. Pjesa nis me rrëfimin e Xhesit e cila duhet ti thojë së ëmës që në mëngjes do të vdesë. Xhesi është një grua e divorcuar e cila jeton me të ëmën. Asgjë deri tani nuk i ka ecur siç duhet ndaj ajo ndjehet e humbur. Prej kohësh vuan nga një depresion kronik.

Thelma është nëna e saj e cila duhet të përballojë depresionin e së bijës. Një vepër e fortë emocionale do të vijë nën konceptin ndryshe të Andreas e njohur për zgjedhjen ndaj veprave të forta.