Emergjenca me numër rekord të pacientëve, por pa mbështetje

30.07.2016 14:27:11

Klinika Emergjente në QKUK, nuk ka kapacitete të mjaftueshme për shërbime emergjente, por edhe përkundër kësaj kjo klinikë po detyrohet që të mbuloj të gjitha patologjitë të cilat sillen nga spitalet regjionale.

Furnizimi me barna dhe me material shpenzues në këtë klinikë nuk po është i kënaqshëm për drejtorin e Klinikës Emergjente.

Gjatë muajve të verës numri i pacientëve të cilët kërkojnë shërbime emergjente rritet edhe më shumë sidomos gjatë muajve qershor-shtator. Vetëm gjatë 24 orëve në një ditë vere numri i pacientëve sillet rreth 120 deri 250 raste, kurse në ditët e zakonshme sillet nga 100 deri në 150 raste.

Nëse marrim numrin e pacientëve brenda muajit,del të jenë rreth 4 mijë e 800 raste, kurse gjatë verës numri i pacientëve që me raste të ndryshme i drejtohen klinikës mund të arrij deri në 5 mijë.

Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani, në intervistë për KosovaPress tha se klinika të cilën ai e drejton shënon numrin rekord të sëmurëve që kërkojnë shërbime emergjente gjatë muajve të verës.

Ai tregon se nëse vazhdon ky fluks i të sëmurëve dhe i të lënduarve që kërkojnë shërbime emergjente mjekësore, atëherë Klinika Emergjente do të vijë në një situatë ku do të ketë mungesë të furnizimit me barna dhe material shpenzues. Edhe pse një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri tash, thotë Lenjani.

Por edhe pse tani për tani kjo klinikë ka barna jetë shpëtuese, Lenjani thotë se nuk është i kënaqur me furnizimin me barna.

Drejtori i emergjencës i tha KosovaPress se është obligim i shtetit që të mbuloj listën esenciale për të gjithë qytetarët të cilët kanë nevojë, qoftë për material shpenzues, apo për çështje tjera diagnostike apo laboratorike.

Lenjani gjatë intervistës ka theksuar që edhe pse është një numër i madh i pacientëve Klinika nuk ka probleme me pacientët të cilët janë në gjendje të rëndë dhe kërkojnë informata rreth gjendjes së tyre shëndetësore, por problemi po paraqitet me të sëmurët me sëmundje kronike të cilët nuk e kanë obligim që të shkojnë në Klinikën Emergjente.