Emërohet drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës

11.12.2018 15:38:58

Doktori Bujar Gashi është emëruar drejtor për Drejtorinë e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ahmeti thotë se bazuar në rezultatet në punë dhe njohjen e Shëndetësisë Primare, Gashi është zgjedhja e duhur për ta vazhduar reformën në Shëndetësinë Primare në Prishtinë.

Lexoni më poshtë postimin e tij të plotë:

“Sot kam emëruar drejtor të Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Dr. Bujar Gashin. Dr. Bujari është specialist i mjekësisë familjare dhe trajner i akredituar për Mjekësi Familjare. Në vitin 2016 e kemi zgjedhur si drejtor të Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë dhe që nga ajo kohë ka treguar rezultate të matshme në fushën e urgjencës dhe menaxhimit shëndetësor. Bazuar në rezultatet në punë dhe njohjen e Shëndetësisë Primare në komunën tone, Dr. Bujari është zgjedhja e duhur për ta vazhduar reformën në Shëndetësinë primare në Prishtinë”, ka shkruar Ahmeti.

Ndryshe, në muajin tetor kryetari Ahmeti ka shkarkuar nga pozita e drejtorit të Shëndetësisë, Arben Vitinë e Lëvizjes Vetëvendosje.