Emigrantët e bllokuar në det, Bushati: Ndihmojmë Italinë, marrim 20 prej tyre

26.08.2018 10:02:31

Prej 20 gushtit, Italia dhe Brukseli zyrtar janë duke u përplasur ashpër me njëri-tjetrin për çështjen e anijes “Diciotti”, e cila mbart 150 emigrantë nga Lindja dhe është ankoruar në portin e Katanias, por që nuk i lejohet t’i zbarkojë ata në tokë.

Fqinji ynë jugor e kërcënoi hapur Brukselin dje, se mund të ndërpresë fondet për Bashkimin Europian, nëse shtetet e tjera nuk zbatojnë rregullin e ri për të cilin është rënë dakord, që imponon një ndarje përgjegjshmërie mes anëtarëve të unionit për refugjatët.

Luigi di Maio dhe Matteo Salvini janë të bindur për të mos lejuar zbarkimin e emigrantëve pavarësisht se në bordin e “Diciotti” është rënduar situata me sëmundjet.

Lidhur me problemin e ri që po e ndan edhe më shumë Italianë nga BE-ja ka reaguar në Tëitter edhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati. Ai thotë se  Shqipëria është e gatshme të ndihmojë Italinë me sa të mundet.

“Ne nuk mund ta zëvendësojmë Evropën, por ne jemi gjithmonë këtu, në anën tjetër të detit ku dikur ne po vuanin ditë e natë në det, duke pritur që Evropa të zgjohet! Dje, Italia na shpëtoi, sot ne jemi gati për t’i dhënë një dorë”, shkruan Bushati.

Ministri Bushati zhvilloi edhe një bisedë telefonike me homologun e tij italian Enzo Moavero Milanesi, ku sipas burimeve, shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për të pritur 20 nga 150 emigrantët e bllokuar në det.

Ndërkohë homologu italian e falenderoi qeverinë shqiptare për gatishmërinë e treguar dhe vlerësoi ketë veprim duke e cilësuar si një shembull inkurajues për shumë vende të BE-së.

Të premten, 150 emigrantët në bordin e anijes “Diciotti” nisën grevën e urisë në shenjë proteste ndaj vendimit të Salvinit për të mos lejuar zbarkimin e tyre.