Emigrantët nga Eritrea drejt Shqipërisë, MB: Vendos Italia

31.08.2018 16:15:48

Pranimi i Shqipërisë për të marrë 20 refugjatë nga Eritrea, të cilët zbarkuan disa ditë më parë në brigjet italiane, ka hapur një debat jo vetëm në Itali, por edhe mes vendeve të unionit.

Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, në një intervistë për Top Channel, shprehet se Shqipëria është e gatshme të presë në çdo moment refugjatët eritereas, ndonëse ende nuk ka një datë të ardhjes së tyre.

“Nuk kemi një datë se kur do të vijnë refugjatët nga Eritrea që vendi ynë pranoi të merrte. Kjo më së shumti varet nga procedurat e shtetit italian, që do të vendosë për sjelljen e tyre në Shqipëri edhe në bazë të Konventës së Gjenevës për të Drejtat e Njeriut dhe natyrisht edhe pas intervistimit të refugjatëve dhe dakortësisë së tyre për tu strehuar në vendin tonë. Ky fakt ka sjellë një debat edhe mes vendeve të unionit, por ky është një problem i tyre”, shprehet Voda.

Sipas zëvendësministres, natyrisht që Shqipëria ka kapacitete të limitura për të pritur në të ardhmen refugjatë të tjerë, pavarësisht ndihmës nga vendet partnere dhe organzatat ndërkombëtare. Por, vala e refugjatëve nuk ka lënë mënjanë as vendin tonë dhe Voda jep shifrat për 6 muajt e parë të këtij viti të fluksit të emigrantëve të paligjshëm në vendin tonë.

“Nga janari i këtij viti e deri në fund të qershorit në vendin tonë janë futur mbi 4 000 refugjatë të paligjshëm, kryesisht nga kufiri i gjelbër. Nga këto mbi 500 prej tyre kanë qëndruar në vendin tonë, pasi kanë kërkuar azil”, tha Voda.

Pjesa tjetër e refugjatëve janë kthyer në vendet nga ku janë futur në vendin tonë në bazë të marrëveshjeve që vendi ynë ka me të gjithë vendet fqinje për kthimin e emigrantëve të paligjshëm.