Emigrantët, shtetet amerikane hedhin në gjyq administratën e Trump

27.06.2018 10:38:25

17 shtete amerikane kanë paditur administratën e presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump për ndarjen e familjeve të emigrantëve në mënyrë mizore dhe të paligjshme.

Prokurorët e Përgjithshëm nga disa vende duke përfshirë Uashingtonin, Nju-Jorkun dhe Kaliforninë kanë prezantuar veprimin ligjor. Në padi kundërshtohet politika e refuzimit të hyrjes për azilkërkuesit në kufirin SHBA-Meksikë.

Në po të njëjtën kohë, një gjykatë në Kaliforni ka marrë vendim që të gjitha familjet e emigrantëve të ndara në kufirin amerikan duhet të bashkohen brenda 30 ditëve.

Javën e kaluar, presidenti Trump bëri thirrje për dëbim të emigrantëve, vetëm disa ditë pasi ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv për t’i mbajtur familjet të bashkuara.

Këto vende tani po kërkojnë nga gjykata një urdhër që do të bashkonte familjet dhe do të ndalonte praktiken e ndarjes, duke e cilësuar këtë veprim në kundërshtim me Kushtetutën.