Emine Hoti, “Marigoja” Shqiptare në Norvegji

22.11.2019 00:32:20

Shkruan: Kadri Tarelli

Libër kushtuar poetes, stilistes dhe veprimtares shqiptare

Këto dit, të vjeshtës së dytë, 2019, doli në qarkullim libri “Marigoja shqiptare në Norvegji”, monografi e autorit Viron Kona, kushtuar poetes, shkrimtares, stilistes dhe veprimtares atdhetare, Emine Hoti, shqiptare nga Drenica e Kosovës.

Vetë titulli i librit dhe fotografia e vendosur mbi kapak, flet shumë dhe kursen fjalët mbi përmbajtjen, që është tërësisht në shërbim të atdhetarizmit të kësaj zonje shqiptare. Është përkushtim atdhetarie dhe dashuri e shprehur me vepra dhe jo me fjalë. Besoj se ky motiv rrezatues, e ka shtyrë autorin Kona, të ndërmarrë këtë studim të admirueshëm, si model të shpirtit atdhetar të shqiptarit.

Lexuesit, besoj nuk i le gjurmë biografia, më shumë se veprimtaria e kësaj zonje të nderuar. Dhe, libri e zgjidh bukur këtë dilemë, duke shtjelluar bëmat e saj, që natyrshëm janë edhe brumi që gatuan jetëshkrimin. Besoj se kjo formë është gjetur mjaft mirë nga autori dhe e mbërthen lexuesin ta çojë këndimin deri në faqen e fundit, duke pyetur: Ç’ i shtyn këta burra dhe gra të fisme, drejt një idealizmi pa kufi, për t’i shërbyer kombit, pavarësisht vështirësive që ka emigracioni, ku lufta për mbijetesë është e madhe?

Vërtet raca shqiptare paska ende të tilla heroina trime, të forta e të durueshme, të guximshme e të qëndrueshme para vështirësive, të buta, bujare e plotë  dhembje ndaj atyre që kanë nevojë, të afta të sakrifikojnë nga vetja, nga koha, nga buxheti i familjes, në emër të atdhetarisë, në emër të humanizmit, në emër të shqiptarizmit?

A kemi të drejtë të krenohemi me të tillë njerëz, që mbartin mirësi dhe falin urtësi, pa më të voglin interes dhe përfitim vetjak?

Mendimi shkon më përtej: Sa përcillet te brezi i ri nëpër shkollat tona, përvoja dhe shembulli i tyre? Pse hallakatemi të fusim në tekstet shkollore shembuj nga bota, që nuk e dimë ku janë e nga janë, dhe mbyllim sytë për heronjtë tanë shqiptar, që i kemi me bollëk mes nesh? Është një pyetje që po e përsëris sot, por që e kam bërë më parë, kur publikova shkrimin: “Përmendore për një misionar të shqipes”1, kushtuar jetës dhe veprës së leksikografit Sadulla Zendeli (Daja), shqiptar nga Gostivari, hartuesit të disa fjalorëve shqip-suedisht, i cili jeton prej vitesh në Suedi. Në të vërtetë thesi i pyetjeve është i madh, për kushtet në të cilat po jetojmë sot, kur një pjesë mjaft e madhe e të rinjve kërkojnë të largohen.

Shembulli i znj. Emine, pavarësisht se duket disi i rrallë e i vetmuar, vetiu shndërrohet në një institucion edukimi atdhetar i klasit të parë, mjafton që nxënësit apo të rinjtë, vajza dhe djem, ta njohin jetën dhe veprën e saj, si grua, nënë, gjyshe dhe veprimtare. E gjitha kjo, duke lexuar këtë libër me vlera të mëdha njohëse dhe edukative, ku veç takimeve, bisedave në katedra universitetesh, nëpër biblioteka dhe kuvende librash, do të gjejmë edhe vlerësime nga pena të njohura, për krijimtarinë e saj letrare. Besoj se kjo ndodh, siç thotë Ralph Ualdo Emerson: “Mos shko aty ku të shpie shtegu, por shko atje ku nuk ka shteg dhe lërë gjurmë”. Dhe Emineja jonë, ka gjetur shteg, ku ka lënë dhe po le gjurmë.

Ajo që bie në sy, gjatë leximit të librit, janë fotografitë e shumta që fiksojnë çastin dhe flasin me gjuhën e tyre pa fjalë, për frymën e bashkimit mes shqiptarëve dhe lartësimi të vlerave tona. Mrekullohesh nga ngjyrat e kostumeve dhe veshjeve kombëtare. Punime të nxjerra nga duart e saj të arta, që ia dhuron fëmijëve dhe të rinjve kudo që shkon, në trojet arbërore apo nëpër botë, ku është mërguar raca jonë. Dëshira e zjarrtë, që ata të duken më të bukur, të dallueshëm nga të tjerët dhe për t’u njohur që janë shqiptarë, pa qenë nevoja të pyesësh.

Të gjithë krijuesit, besoj, kush më shumë e kush më pak, i shërbejnë shqiptarizmit, secili sipas aftësisë dhe mënyrës së vet, dikush në poezi, letërsi, muzikë, pikturë-skulpturë, sport dhe më tej, në studime shkencore. Ndërsa Emineja jonë, shkëlqen në muzikë, poezi, prozë, stiliste e veshjeve dhe qëndistare e flamurit, duke shtuar me krenari edhe si veprimtare dhe luftëtare e orëve të para, për çlirimin e Kosovës dhe emancipimin e femrës shqiptare.

Duke lënë mënjanë frymëzimin, mendim shkon më përtej gjykimit dhe përjetimit të çastit: A mund ta quajmë këtë zonjë të nderuar një misionare të shqiptarizmit?

Ç’ bëjnë më shumë misionarët shërbestarë ndaj zotit?

A është shqiptarizmi, më i larti besim ndaj kombit, kur vetë Pashko Vas Shkodrani, një shekull më parë tha me zë të lartë, që e dëgjoi bota mbarë: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”?

A kam të drejtë ta quaj këtë bijë dardane, një “Nënë Tereza”, si veprimtare deri në adhurim ndaj shqiptarizmit?

Këto fjale dhe emërtime, nuk janë shpërthim i patriotizmit folklorik, siç jemi mësuar të shohim nëpër stadiume, por ndjesi vlerësimi dhe nderimi për veprat me përmbajtje të thekur atdhetarie, në dobi të çështjes shqiptare, në mbajtjen gjallë të ndjenjave kombëtare mbarë shqiptare, jo vetëm në mërgatën tonë të shpërndarë në katër anët e botës.

Libri i studiuesit Viron Kona është një monument, që i kushtohet veprës së kësaj heroine, kësaj shqiptareje me shpirt e zemër të madhe, që s’pushon së rrahuri për komb e flamur. Të tjerët që do të vijnë më pas do ta lartësojnë më tej, pasi dëshira, energjia dhe vullneti i saj, ka ende shumë për të bërë në dobi të idealit kombëtar.

Urime Autorit Kona dhe znj. Emine, për vepra të tjera më të bukura e të madhërishme!

Në mbyllje pak vargje:

Marigo dardane!

Çikë Dardanie, oj Emine Hoti!

Shpirti yt i pastër, porsi pikë loti.

Bjeshkët i flladit, zjarr po i ndez gurit,

Shqiponjën qëndis, në mes të flamurit.

 

Durrës më: 30. 10. 2019.

 

  1. Shkrimi u publikua: V. Kona. Libri “Ju dua më shumë se veten”, portali “Fjala e lre”, 23. 05. 2015. “Zemra shqiptare” dhe “Tribuna shqiptare”, datë: 23 dhe 25. 05. 2015, njëkohësisht: gazeta “Bota sot”. Date 31. 10. 2019.