Emisioni i plotë i “Publicus” që investigoi skandalin e importit të plehrave, ja dëshmitë e forta (Video)

10.10.2016 14:33:44

Një javë më parë, emisioni Publicus në Vizion Plus solli para shqiptarëve pamje, fakte e dëshmi të forta se Shqipëria nuk ka kapacitetet për të kontrolluar plehrat, për të ndaluar futjen e mbetjeve të rrezikshme në vend. Kamera e Publicus, – emisionit të mbyllur tashmë pas një investigimi të bërë mbi vdekjen e Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës, që hidhte dritë mbi implikimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, – depërtuan në laboratorin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Ky laborator ishte servirur nga kryeministri Edi Rama si një garanci se në Shqipëri s’mund të hynin plehra të rrezikshme, pas miratimit të ligjit që lejonte importin e plehrave. Kamera e Publicus zbuloi se këto deklarata ishin të gënjeshtërta. Sicc mund ta shihni në videon e mëposhtme të emisionit, që Lapsi.al po e publikon të plotë, Publicus zbulon se laboratorit nuk i është shtuar asnjë pajisje e re që mund të analizojë mbetjet. Thjesht i janë shtuar ambientet. Ky ishte emisioni i fundit i Publicus, me autor Artan Ramën. Emisioni u ndërpre mbrëmë, pasi pronarët vendosën të mos e transmetonin investigimin e radhës; atë që prekte një tjetër “kokë” të Rilindjes, Erion Veliajn, kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Publicus po investigonte implikimin e Veliajt në vdekjen e 17 –vjeccarit Ardit Gjoklaj, në landfillin e Sharrës.

“Të dielën në mbrëmje, “Públicus”, nuk u lejua të transmetojë një raport mbi vdekjen tragjike të një të riu që banonte në rrethinat e ish Kombinatit, e që punonte në kushte pasigurie në Landfillin e Sharrës, pronë e Bashkisë së Tiranës e që e bashkëadministronte me një kompani private riciklimi. Bëhet fjalë për Ardit Gjoklajn, 17 vjeçarin që që u nda nga jeta në rrethana dramatike. Ne shkuam në Sharrë, takuam njerëz e folëm me familjarët e viktimës dhe regjistruam dëshmi. Zbuluam dokumenta të cilat nëpunësit kërkojnë t’i fshehin, pasi nuk duam të zbulohen përgjegjësitë. E të gjitha këto i përgatitëm për t’i publikuar. Por nuk na lanë!”, lajmëruan autorët e programit.

Ky investigim mbi “pehrat e Veliajt” nuk e pa dritën e transmetimit, ndryshe nga ai për “plehrat e Ramës”, të cilin mund ta shihni të plotë në videon e mëposhtme.

Për ta parë emisionin klikoni ku shkruan “Watch on Youtube”.