Emocionet pushtojnë dhe gazetarin grek: Në familjen Lala njerëz me zemër të madhe, dhimbje e papërshkrueshme!

04.12.2019 20:02:54

Shumë prej gazetarëve që e raportuan nga terreni fatkeqësinë që pllakosi vendin në 26 nëntor, nuk e fshehën dot emocionin pas atyre që panë.

Por kjo nuk ndodhi vetëm me gazetarët shqiptarë: një reporter grek, Vasilis Siomos, ishte aty kur gërmohej për pjesëtarët e familjes Lala, dhe është përlotur disa herë.

“Në familjen Lala që humbi 8 anëtarë të familjes, njerëzit madhështorë, mes dhembjes së tyre na pyesnin nëse duam diçka për të ngrënë. Njerëz me zemër të madhe, bujarë, mikpritës. Shumë herë nuk flisja dot, shumë herë u lotova kur nxirrnin njerëzit nga gërmadhat, fëmijët në batanije. Forcat shpëtimtare që luftonin në rrënoja janë heronj të vërtet, rrezikuan jetën e tyre. Emocione e dhimbje e papërshkrueshme që do më mbetet e paharrueshme”, ka thënë ai i cituar nga balkanweb.

Ai ka telefonuar në transmetimin maratonë që po bën televizioni grek ERT për të mbledhur fonde për Shqipërinë e prekur nga tërmeti.

Ndërkohë komandanti i grupit EMAK Athinë, Athanasios Balafas i cili ka qenë në Shqipëri po ashtu për të ndihmuar grupet e kërkim-shpëtimit, iu ka bërë apel të gjithëve të ndihmojnë shqiptarët.