Ende s’ka vendim zyrtar për nisjen e hetimeve për ministrin Rikalo

26.09.2017 13:05:43

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se ende nuk ka vendim zyrtar për nisjen e hetimeve kundër ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo.

Ai këto komente i bëri pas takimit që pati me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, me të cilin ka biseduar për prioritetet e kësaj ministrie, plotësimet-ndryshimet në kodin penal dhe rishikimin e legjislacionit që ndërlidhet me konfiskimin e pasurisë.

Ndërkohë, ka pasur akuza nga qytetarët e Prishtinës se ministri Rikalo gjatë luftës ka torturuar dhe maltretuar ata, kryeprokurori Lumezi tha se janë duke mbledhur informacione, pas të cilave do të vendosin për fillimin e hetimeve zyrtare.

“Prokuroria në bazë të informacioneve ka hapur procedurë penale, por ende nuk ka nxjerrë aktvendim zyrtar për fillimin e hetimeve. Ne jemi në fazën e dëgjimit të personave, të cilët kanë dhënë informacione për ministrin. I kemi dëgjuar disa prej tyre. Jemi duke mbledh informacione tjera do ta dëgjojmë së shpejti dhe ministrin në cilësinë e personit të dyshuar dhe pas mbledhjes së informacioneve, do të vendosim a me filluar hetim zyrtar, a ka dyshim të arsyeshëm se është kryer një vepër penale, apo janë vetëm thashetheme”, ka thënë Lumezi.

Ndërsa, ministri Tahiri tha se ka njoftuar kryeprokurorin Lumezi për prioritetet e ministrisë që ai drejton dhe për projektligjet që do t’i procedojnë në Kuvendin e Kosovës në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Në fokus timin ka qenë dhe do të jetë plotësim-ndryshimet që po i bëjmë në Kodin penal, si dhe në pjesën e rishikimit të legjislacionit që ndërlidhet me konfiskimin e pasurisë. Jam i bindur që këto plotësim- ndryshime do të ndihmojnë dhe do ta lehtësojnë punën e prokurorisë dhe policisë. E njoftova dhe për agjendën që ndërlidhet me agjendën e reformës evropiane. Është koncept dokument që lidhet me suspendimin e personave të zyrtarëve të lartë shtetëror që janë nën aktakuzë”, tha ministri Tahiri.

Nga ana e tij, kryeprokurori Lumezi tha se së bashku me Ministrinë e Drejtësisë do t’i bashkërenditin veprimet në fushën e sundimit të ligjit, në funksion të rritjes së efikasitetit të sistemit gjyqësor, si dhe për konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë së paligjshme.

“Një nga çështjet është dhe bashkëpunimi juridik ndërkombëtar në çështjet penale. Besoj që me ministrin e ri do të kemi efikasitet më të madh dhe në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit”, ka thënë Lumezi.