Ëndrra, atdheu dhe poeti/ Vargje nga Dije Lohaj

07.05.2020 09:43:54
Nuk di si t’ia vë emrin kësaj nate
Derdhur nëpër orbitën e trishtuar
Kur lotin ma merr zymtësia
E kujtimet udhëtojnë me ëndrrat e mia.
Dhe nuk di sa thura e thura,
Kaluruar mbi to
Që kur stisja ëndrrën
Nuk di sa koha ka kaluar
Që kur lëroja dheun e atdheut
Atdheu më lëronte mua
Në tokën e vargut tim
Akoma nuk ka pushuar stuhia
Ëndrra, atdheu dhe poeti
Ziejnë, e zijenë rimave të mia.
Nuk di si t’ia vë emrin trishtimit të atdheut
Kur tufanët ma marrin shpresën
E shpresat mbërthehen për fije shkëmbinjsh
Ëndrra çan natën e terrin
Ikur, tutje rrathëve të ferrit.
Poeti ha ëndrrat e veta të vogla për atdheun
Për të thurrur ëndrra të mëdha
Ashtu si ha unë netët
Për të mundur errësirën
E ajo që nuk i vura emër
Përditë, e përditë po më shtyp në zemer.
Shpirtin nuk ma kthejnë ëndrrat e mia
E rimat ziejnë e ziejnë vargjeve.