Ensari, nxënës dhe sportist që ëndrron të bëhet futbollist i njohur!

22.03.2019 23:54:07

Ensar Susuri është një nga ata nxënës që karahas mësimeve në shkollë, merret edhe me futboll, duke realizuar aktivitete të dendura edhe shkollore edhe sportive.

I lindur më, 4 shtator 2005, në fshatin Zhur të komunës së Prizrenit, Ensari ndjek mësimet në klasë të shtatë në SHFMU ” Dëshmorët e Zhurit”, bashkë me shumë shokë, me të cilët edhe zhvillon ushtrime të futbollit në shkollën e futbollit të Klubit Futbollistik ” Vëllazëria”.

Ushtrimet në futboll, Ensari i ka filluar më 2015, pra në moshën 10 vjeç, dhe që atëherë ka arritur të kalitet dhe të përvetësojë shumë shkathtësi të futbollit, me ndihmën e trajnerëve Agron Beseni, Bekim Bakaj, Enis Gashi, të cilët tri herë në javë mundohen të mësojnë teknika të shumta të lojës së futbollit.

Në pyetjen tonë se sa është i dalluar në kuadër të grupit të tij, Ensari lavdon gjithë grupin dhe thotë: Të gjithë ekipi jemi të dalluar!

Vetë Ensari është sulmues i krahut të majtë, dhe ka dëshirë që ëndrra për të arritur sa më shumë sukses dhe të bëhet një futbollist i njohur, t’i bëhet realitet!