Enver Hoxhaj: Përmbyllja e dialogut me Serbinë është edhe konsolidimi i jashtëm i Shqipërisë

20.02.2019 17:47:14

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë sot në Tiranë se, përmbyllja e dialogut me Serbinë është edhe konsolidimi i jashtëm i Shqipërisë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka bashkëbiseduar në Tiranë në një takim të mbyllur me politikanë dhe intelektualë rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe mundësinë për të arritur një marrëveshje me 2019.

Në Forumin e Politikës së Jashtme të organizuar nga Instituti AIIS, Hoxhaj ka thënë se Kosova e ka të qartë synimin e saj në dialog – njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin në OKB.

Në pyetjet e shumta dhe interesimin për modalitetet e mundshme të epilogut final, Hoxhaj ka thënë se Kosova e ka nxjerrë platformën e saj me parimet negociuese dhe duhet parë në frymën pozitive nga elitat politike në Kosovë dhe Shqipëri.

Duke folur për debatet e shpeshta edhe mospajtuese herë pas here në të dyja shtetet, Hoxhaj ka thënë se këto i sheh në frymën e një shteti e shoqërie demokratike por beson që fund të procesit do të jenë unik.

“Unë jam për qasjen që duhet menduar si ta përmbyllim dialogun dhe arrijmë një marrëveshje me Serbinë gjatë vitit 2019. Për ne në Kosovë është jetike përmbyllja e shtetndërtimit të Kosovës pikërisht 20 vjet pas çlirimit. Madje kjo do të nënkuptonte edhe konsolidim të jashtëm të Shqipërisë”,  ka thënë Hoxhaj.