Enver Hoxhaj: Vjosa Osmani nuk po zgjidhet presidente, Albin Kurti po e emëron atë për të pasur kontroll absolut

03.04.2021 20:47:17

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se Vjosa Osmani sot nuk po zgjedhjet presidente, por sipas tij atë po e emëron kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në këtë pozitë për të pasur kontroll absolut mbi institucione të rëndësishme.

Hoxhaj tha se qytetarët duhet ta dinë se nuk ka pasur interesim gjatë takimit me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanit.

“Një gjë duhet ta dinë qytetarët e Kosovës, që nuk ka pasur kurrfarë interesimi as për konsensus politik, as shoqëror e as partiak. Ka pas logjikë e politikë të nënshtrimit. Prania e z.Hamza është më shumë për ta thënë qëndrimin tonë”, tha Hoxhaj.

Ai shtoi se: “Dje e kishim një dramë e cila ishte dramë e turpit, ishte kërcënim, shantazh për zgjedhje nëse Kuvendi i Kosovës nuk do ta votonte Presidentit. Ishte përpjekje për ta ngulfatur demokracinë në Kosovë. Sot, këtë seancë edhe pse zgjedhja e Presidentit duhet të ishte ditë feste. Sot është kjo seancë e poshtërimit. Sepse Vjosa Osmani nuk po zgjidhet presidente, por z.Kurti po e emëron zonjën Osmani presidente për të pasur një kontroll absolut mbi shërbimet si atë inteligjent e mbi ambasada”, theksoi ndër të tjera Hoxhaj.