Enver Robelli: Jo të gjithë priftërinjtë janë të shenjtë

16.02.2017 23:26:17

Analisti i njohur kosovar, Enver Robelli thotë se teologu i krishterë Izidor Llukiqi nga shkolla “Don Bosko” duhet t’i nënshtrohet një hetimi të pakompromis nga autoritetet e drejtësisë.

Ky reagim i Robellit vije pas publikimit të fotografive të diskutueshme  të Don Izidor Llukiqit, priftit nga Famullia e Prishtinës dhe drejtorit të shkollës “Don Bosko”.

Lajmi.net ka publikuar disa fotografi të Llukiqit në pozita të palakmueshme me nxënëse të shkollës. Ai shihet në prehrin e një nxënëseje, pastaj në disa foto tjera tregon më shumë afërsi se sa është normale.

“Ka dy ditë që disa fotografi tepër të diskutueshme të teologut të krishterë Izidor Lukiq kanë shqetësuar opinionin në Kosovë. Fotografitë flasin vetë: Lukiq shihet dukë bërë poza që sugjerojnë një afërsi të tij të palejueshme me gjasë me nxënëse të shkollës «Don Bosko». Në mbrojtje të Lukiqit janë vënë disa besimtarë katolikë, të cilët ose nuk shohin gjë të dyshimtë në fotografi – ose përpiqen ta mbrojnë fenë e tyre, duke këmbëngulur se kleri katolik është i pagabueshëm”, thotë Robelli në analizën e publikuar në DialogPlus.

Enver Robelli

Sipas tij, Llukiqin nuk e kanë kritikuar as urrejtësit kujdestarë të feve të tjera (sidomos të islamit).

“Me gjasë ata mendojnë se të gabueshëm janë vetëm popët ortodoksë të Serbisë dhe imamët agresivë të disa xhamive në viset shqiptare. Të gjithë ata që mendojnë kështu gabojnë rëndë. Sepse nuk ka njeri të pagabueshëm. Dhe teologët hyjnë po ashtu në rendin e njerëzve, pa marrë parasysh nëse ne u besojmë apo jo dogmave të tyre, të cilat ata janë të lirë t’i propagandojnë”, ka shkruar ndër tjerash Robelli.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit tashmë ka nisur një hetim për Lluqikin, derisa ky i fundit e ka akuzuar një ish mësimdhënës në “Don Bosko” se i është hakmarrë duke ia publikuar këto fotografi që ai i kishte në laptopin personal.