Epopesë së UÇK-së – në Prekaz ndezën flakadanët e lirisë

07.03.2020 19:33:28

Është mbajtur manifestimi tradicional në kuadër të Epopesë së UÇK-së “Nata e Zjarreve” në Prekaz.

Prekazi sonte ndezi flakadanët e lirisë në mënyrë tradicionale, për të kujtuar luftën dhe sakrificën e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes Jashari të renë për lirinë e Kosovës.

Rezistenca e Jasharajve e shënuar në historinë e popullit shqiptar, dhe lufta e UÇK-së, ka bërë bashkë sot qytetarë të shumtë te Prekaz.

Epopeja e UÇK-së shënon sivjet 22-vjetorin që sjell në kujtesën e secilit vetëflijimin e familjes Jashari.

Në mënyrë ceremoniale, pranë varrezave të familjes Jashari në Prekaz u ndezën flakadanët qe simbolizojnë përhapjen e flakës së lirisë në gjithë vendin.

“Epopeja e UÇK-së” shënohet më 5, 6 dhe 7 mars, për nderë të luftës titanike të familjes Jashari dhe për të nderuar të gjithë ata që luftuan dhe ranë në familjen Jashari gjatë tre ditë luftimi kundër armikut.