Erdogan do të vizitojë Korenë e Jugut

25.04.2018 15:41:29
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të vizitojë Korenë e Jugut si i ftuar i presidentit të këtij vendi, Moon Jae-in, transmeton AA, përcjell Klan Kosova.

Në një deklaratë nga Presidenca e Turqisë thuhet se presidenti Erdogan me ftesë të presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, mes datave 2 dhe 3 maj do të realizojë një vizitë shtetërore në këtë vend.

Gjatë kësaj vizite, e cila do të realizohet pas vizitës së presidentit Erdogan në Uzbekistan, përveç marrëdhënieve dypalëshe do të diskutohet edhe për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

“Në Gadishullin Korean po kalohet nga një proces i rëndësishëm ku janë intensifikuar përpjekjet për krijimin e paqes. Vullneti politik i treguar nga presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, gjatë këtij procesi, po ofron mundësinë e formimit të një atmosfere të dialogut dhe të bashkëpunimit në mes të palëve. Turqia, takimet në lidhje me të ardhmen e Gadishullit Korean me të cilin ka lidhje historike, i vlerëson si një mundësi të vlefshme dhe po i mbështet përpjekjet në drejtim të zgjidhjes së problemit”, thuhet në deklaratë.