Erdogan: Nëse populli kërkon, atëherë do ta kthej dënimin me vdekje

19.07.2016 10:12:53

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë sot në mëngjes se është i gatshëm ta kthejë dënimin me vdekje nëse populli e kërkon një gjë të tillë, pas tentimit për grushtet.

Erdogan i bëri këto komente sot duke iu adresuar përkrahësve të vet jashtë vendbanimit të vet në Stamboll, të cilët janë dëgjuar duke brohoritur për rikthimin e dënimit me vdekje, raporton BBC.

Zyrtarët e BE-së kanë paralajmëruar se synimi i Turqisë për t’iu bashkuar bllokut do të përfundojë nëse Ankara e kthen dënimin me vdekje.

Por, duke folur para përkrahësve të vet sot në mëngjes, Erdogani tha se Turqia është një shtet demokratik i udhëhequr nga sundimi i ligjit.

Ai ka thënë se është i gatshëm ta kthejë dënimin me vdekje nëse populli turk e dëshiron një gjë të tillë dhe nëse Parlamenti e miraton legjislacionin.

“Nuk mund t’i lini anash kërkesat e popullit,” tha Erdogan.