Erdogan: Puçistët e 15 korrikut, tradhtarë të besimit e të kombit

04.08.2016 14:57:00

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan është shprehur gjatë një aktiviteti se 15 korriku ishte tentativë për të lënë popullin turk pa flamur, pa atdhe, pa komb e pa shtet.

Ai tha se rrjeti terrorist që kreu tentativën e grushtit të shtetit nuk do t’ia dijë as për popullin, as për atdheun dhe as për flamurin.

“Populli ynë më 15 korrik e dha porosinë në mënyrë të hapur dhe të qartë jo vetëm ndaj kësaj organizate terroriste, por edhe për të gjithë ata që kanë qëllime të ngjashme dhe dëshirojnë të zbatojnë metoda të ngjashme. Mesazhi i popullit ishte se nuk do t’ua lëshojmë vendin këtyre tradhtarëve”, tha Erdogan.

Ai shtoi se organizata Gylen është e shpërndarë në 160 shtete të botës dhe se andaj ka humbur nga krenaria e kombësisë turke. Sipas Erdogan, puçistët nuk janë devijantë vetëm të besimit, por edhe të kombit.

“Këta e kanë mashtruar popullin në emër të bamirësisë. Tani çdo gjë po del sheshit dhe së shpejti do të dalin në shesh edhe shumë gjëra të tjera. Ende nuk ka përfunduar kjo çështje. Nuk do të ndalem deri në përfundimin e saj”, tha kreu i shtetit turk.

Presidenti Erdogan i ka bërë thirrje opozitës, që edhe ata të jenë kundër Gylenit, me qëllim që të luftohet fort kjo organizatë.