Erdogan uron Metën dhe e fton për vizitë zyrtare në Turqi

05.05.2017 09:00:13

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka uruar sot nëpërmjet një bisede telefonike Ilir Metën për zgjedhjen në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë duke i shprehur atij dëshirën për një mandat sa më të suksesshëm.

Presidenti i Turqisë, Erdogan i shprehu mirënjohjen Presidentit të zgjedhur, Meta për kontributin e tij në funksionin e Kryetarit të Kuvendit në funksion të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve mike, të cilat i cilësoi si shumë të rëndësishme për tërë rajonin.

Meta e falënderoi Erdogan për mbështetjen e Turqisë ndaj zhvillimit ekonomik e social të Shqipërisë dhe shprehu besimin se marrëdhëniet tradicionale e vëllazërore mes dy vendeve do vijnë duke u forcuar më tej.

Meta dhe Erdogan ndanë bindjen e përbashkët se intensifikimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë do i shërbejë sigurisë rajonale e luftën kundër terrorizmit, duke marrë në konsideratë se rajoni i Evropës Juglindore përballet me sfida të mëdha stabiliteti e sigurie që kërkojnë përgjegjshmëri e përkushtim.

Në përfundim Presidenti Erdogan e ftoi Presidentin e zgjedhur Meta për një vizitë zyrtare në Turqi, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.