“Erdogani po synon t’i shtrijë interesat e veta në Kosovë përmes xahmive”

21.07.2016 19:26:22

Turqia ka qenë armik i Kosovës në kohën e pushtimit dhe konsiderohet që po vazhdon përpjekjet e saj për të shtrirë interesat e vetë në Kosovë. Kështu ka thënë eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi në një debat në Rubikon të KTV-së ku u diskutua për puçin ushtarak në Turqi dhe zhvillimet pas tij.

Ai ka thënë se Kosova ka nevojë më shumë për zhvillim ekonomik e arsimor dhe më pak për ndërtim të xhamive.

“Vetë Erdogani po synon t’i shtrijë interesat e veta në Kosovë përmes ndërtimit të xhamive, e Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik e arsim. Dështimj i puçit është fakti se ushtria nuk e organizoi atë. Ushtria turke është gardian i Kushtetutës turke. Erdogani ka dashtë ta heq ushtrinë nga loja dhe pas kësaj populli turk e sheh ushtrinë si armik”, ka thënë ai.

Por, kundër tij del deputeti Gëzim Kelmendi ,i cili tha se këta që flasin kundër Erdoganit, edhe shtatë jetë t’i kenë, nuk mund të arrijnë atë çfarë ka bërë ai.

Ai ka thënë se Turqia nuk ka qenë asnjëherë kundër Kosovës, përkundrazi siç tha ai Turqia në krye me Erdoganin dhe SHBA-të janë aleati kryesor i Kosovës.

“Nuk konsideroj që Turqia ka qenë kundër Kosovës, përkundrazi Turqia në krye me Erdoganin bashkë me SHBA-të janë aleati kryesor i Kosovës. Këta që flasin kundër Erdoganit, edhe shtatë jeta t’i kenë, s’mund të bëjnë sa ka bërë Erdogani”, ka thënë Kelmendi.
Opinionisti, Dardan Gashi ka thënë se puçi i cili vazhdon të ndodh sot në Turqi, ka filluar kohë më parë, duke ju referuar arrestimeve e protestave të mëhershme.

“Erdogani është diktator i cili shkel të drejtat e popullit të vetë”, ka thënë Gashi.

Mirëpo, tërësisht jo i besueshëm dhe joserioz shihet ky puç nga eksperti i sigurisë, Agim Musliu.

“Një ushtri siç është ajo e Turqisë nuk e bën puçin ushtarak kësisoj, nëse do të ishte real atëherë do të zgjaste me muaj deri në ardhjen e qeverisë së re”, ka thënë Musliu.

Sipas tij, asnjë njësi elitare e ushtrisë nuk ka marrë pjesë gjatë puçit pasi, siç thotë ai, ka qenë një fraksion ushtarak të cilit i ka munguar serioziteti.