Servet Pëllumbi: Kryeministri Rama po përgatitet të largojë nga koalicioni LSI

22.08.2016 10:27:18

Servet Pëllumbi, një prej figurave kryesore të PS-së dhe ideolog i së majtës deklaron se koalicioni PS-LSI nuk ka shumë të ardhme. Në një intervistë për “Panorama”, Pëllumbi e sheh problemin tek qëndrimi i LSI. Ndërkohë që nuk përmend se partia kryesore e koalicionit është PS-ja dhe mënyrën e funksionimit të aleancës e ka përcaktuar Kryeministri Edi Rama.

Pëllumbi thotë se LSI po përgatitet të ikë. Por duke njohur afërsinë e tij me Kryeministrin Edi Rama dhe profilin e tij si një teoriciennë PS, Pëllumbi lë të kuptohet se, në fakt, është Rama ai që po përgatitet të largojë LSI-në nga koalicioni

“Koalicioni i mirëfilltë qeverisës PS – LSI u ndërtua jo mirë dhe herë pas here është lëkundur ndjeshëm, aq sa sot duket se LSI është në kërkim të një ‘modus vivendi’ për ta deklaruar të prishur koalicionin qeverisës me PS”, është shprehur ai në një intervistë për gazetën Panorama.

Pëllumbi thotë se LSI nuk ka interes nga prishja e koalicionit 1 vit përpara përfundimit të mandatit. Por sipas tij kjo vjen për shkak të presioni të madh që ka mbi Ilir Metën për ta bërë këtë. “Kjo, realisht, nuk është në interesin imediat të LSI, por duket se presioni që po ushtrohet mbi lidershipin e saj është shumë më i madh nga ç’mund të mendohet…! “Ngushëlluese”, mbase, mbetet vetëm deklarata e liderit të saj se, ende s’kanë lindur burra, as vendas e as ndërkombëtarë që ta shantazhojnë atë”.

Vetë Pëllumbi ka rezerva dhe për mënyrën si po ecën qeverisja.  “Në të vërtetë ka rritje të pakënaqësive, veçanërisht tek shtresat më vulnerabël të shoqërisë sonë. Dhe këtu qeveria meriton të kritikohet, sidomos për mungesë ndershmërie e transparence, për një lloj euforie ministrash në raport me reformat, që jo gjithmonë kanë mbajtur parasysh prioritetet dhe amortizimin e plagëve të shkaktuara prej tyre”.