Është zbuluar pronari i njërit prej pallateve të shembur nga tërmeti

02.12.2019 23:47:45

Pallati 6 katësh që u shemb në lagjen numër 6 të Durrësit është ndërtuar në vitin 1989. Por, ai nuk mundi që të përballonte intensitetin me 6.4 ballë të shkallës rihter të tërmetit të 26 nëntorit, ku pati 51 viktima.

Gazetarja e Top Channel në një lidhje live me emisionin “Open” tha se prokuroria ka nisur hetimet për këtë dhe se pronari i pallatit, sipas saj, të paktën nga shkresat e deritanishme është shtetasi me identitetin A.Terziu.

Sipas gazetarës Anila Hoxha, Prokuroria ka siguruar një dosje me prova e fakte të shumta për këtë rast. Madje, ajo shtoi se janë dëmtuar kolonat e pallatit dhe në katin e parë është ndërtuar një lokal. Sipas prokurorëve kjo mendohet të ketë qenë arsyeja e dëmtimit të kolonave mbajtëse.

Ndërkohë, për personin në fjalë nuk ka shpallje në kërkim, por në dokumentacion është emri i tij dhe se paraprakisht mendohet se ndaj tij të ngrihet akuza e ndërtimit pa leje.