ETJE PËR LIRIKËN/ Shqyrtim mbi librin me poezi “Ishujt e jetës” së poetit Anton Marku

19.03.2020 23:49:06
Nga VIOLETA ALLMUÇA

 

Rrallë mund të lexosh poetë që krijimtarinë letrare dhe përjetimet e tyre nuk i lidhin me atdheun e përjetshëm. Një dukuri e tillë vështrohet nga folklori deri në lirikat e gjithanshme që lexuesi përcjell në kohë dhe hapësirë. Këtë dëshmi të tillë na shpërfaq edhe poeti Anton Marku në vëllimin më të ri me poezi: “ISHUJT E JETËS” një vepër poetike bashkëkohore ku në vargjet e saj shprehen ndjenjat, dëshirat, mesazhet artistike dhe bota e brendshme e krijuesit. Fatin e tij autori e bashkon me fatin e së shkuarës edhe pse e tashmja e lidh po ashtu me botën e madhe ku jeton. Mirëpo siç duket në poezinë e tij mbizotëron arti i fjalës së qenësishme edhe në rrjedhat e universales. Le t`i hedhim një sy poezisë “LAKURIQ” të këtij vëllimi poetik: Një i krisur shëtit çative i patrembur/hipur mbi mure këmbëzbathur zvarritet/ Mbi supe mbart një thes me jetë/ dikur në udhëkryqe kishte gjithmonë/ një shteg të hapur/Tash në çdo shteg një udhëkryq/. Ndonëse lind trishtimi poeti gjen në udhën e hapur të fjalës, metaforën e bukur; “thes me jetë”. Duke zbuluar anën shpirtërore nëpërmjet strukturës së gjuhës poetike autori komunikon me botën dhe njeriun përmes vargjeve duke u bërë kështu pjesë e zbulimit të së tashmes. Me frymën e vargjeve autori na rrëfen për jetën. Trajtimi poetik jo vetëm i individit krijues por edhe hapësira ku është lindur jeta e krijuesit dhe bota e tij shpirtërore e qasin poezinë e Markut mes nesh. Ai e ndjen dhe e përjeton secilën fjalë të vargut lirik ku njësohet zëri i individit me artin e fjalës. Poeti si të gjithë qeniet njerëzore vuan, kërkon dashuri dhe paqe duke përdorur vetëm fjalën poetike nga e cila merr fuqinë për të fituar mbi luftën, urrejtjen, heshtjen, ngjyrën e natës dhe vdekjen. Duke trajtuar thellësisht gjerësinë e jetës në poezinë lirike ai shton edhe një element artistik, perceptimin poetik që na afron me poezinë si krijesë lirike. Harta e botës së brendshme të Anton Markut e përshkuar nga një metaforë e fuqishme dhe figura të tjera letrare e bën të jetësueshme edhe rrëfimin poetik. Ai nuk i pëlqen rrënojat e ëndrrës sepse dashuron ëndrrën e vërtetë. Ideali krijues lind e afrohet me thelbin e realitetit. Çfarë ndodh në trekëndëshin lindje, dashuri vdekje? A është kjo një dilemë e pazgjidhur për poetin? Këto tema të mëdha për njerëzimin ndërlidhen pasi janë të prekshme kur vijnë me shqiptim letrar e gjuhësor. Me një stil vetjak që për çudi lind tek poetët e vërtetë, ndoshta do më kujtonin edhe poetin e madh Ali Podrimja, i cili po aq mjeshtëror shfaqet në poezinë e tij që e pushton botën e brendshme dhe të jashtme të vargut poetik. Edhe tek Anton Marku, dilema e njohur tashmë lind vargje që të mbeten në mendje, jo vetëm për shprehjen e fjalës së bukur poetike por edhe për lexuesin e poezisë. Le të lexojmë më poshtë poezinë “VALA”: Në sytë e tu fundosen yjet/ buzëve të tua takohen detrat/ Veten e kërkon degëve të drunjve/ andej nga shkumëzojnë ujvarat/ Urave të gurit shtrihesh/ mbi lëkurën time shkruan emrin tënd/. Ndodh pra që ndjenjat e dashurisë janë më të forta pos ndjenjave të tjera, jo sepse janë vetëm shpirtërore, por, sepse njeriut nuk i ndodh asgjë tjetër më e madhe në jetë se sa dashuria. Dilemën dhe magjinë e saj nuk e kanë zgjidhur poetët. Ata të frymëzuar, gjithnjë e kanë shprehur poetikisht dashurinë edhe ndaj atdheut, vendlindjes, njerëzve të dashur etj. Dashuria mbetet një fuqi e madhe në qenësinë e saj e cila pushton me anë të ndjenjave të furishme shpirtërore gjithë njerëzit e botës. Njeriu duhet të luftojë për dashurinë dhe jo për urrejtjen. Komunikimi shpirtëror gjithnjë ka qenë kështjella e shpirtit. Ja si shkruan poeti në vargjet e poezisë, “KTHIMI”: Pasi që ike nga dritarja ime/e mbushe zbrazëtinë me aromën tënde/netët e heshtura i futëm në mes/ përqafonim zërin e asaj nate/një baladë të vjetër/ Tani, eja e struku/ thellë në shpirtin tim/ të ndiej ngrohtësinë e frymës tënde/. Thelbi i trekëndëshit tematik, lindje, dashuri vdekje, mbyllet në një largim hyjnor që përjetohet brenda shpirtit të poetit. Le të lexojmë vargjet “LAVJERRËSI I POETIT”: Varri yt tashmë ka lëshuar rrënjë/i thanë për të dytën herë/Me lëkurën tënde do të mbështjellim/eshtrat e atdheut tënd të paemër/Ai shikoi lavjerrësin tre herë/dhe vazhdoi si më parë/t`i lëkundë këmishën e vdekjes/ pa e çarë kokën/nëse e nesërmja do të vinte ndonjëherë/.
Poeti Anton Marku e ka fjalën si udhëtare të poezive me të cilën nuk bën kompromis në shtegtimin e tij poetik. Ai kërkon t`i mbjellë rrënjët e saj duke krijuar strukturën e tekstit dhe mesazhet drejt lexuesit. Pra ai është përçues i etur i vargjeve lirike me të cilat duke përdorur qenësinë e fjalës arrin kumtin poetik dhe ndikimin estetik.