EU Observer: E ardhmja evropiane e Kosovës në rrezik

05.01.2018 14:47:23

Gjykata Speciale dhe zhvillimet e fundit në vend rreth kësaj çështjeje vazhdojnë të jenë në fokus të mediave ndërkombëtare.

Lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë rreth Gjykatës Speciale dhe deklaratës së shteteve të QUINT-it, EU Observer ia ka kushtuar një artikull, ku shkruan se Kosova është paralajmëruar për “pasojat e rënda” nëse tentohet të shfuqizohet Gjykata Speciale.

“I bëjmë thirrje të gjithë liderëve të Kosovës… të flasin kundër kësaj iniciative dhe të informojnë drejt qytetarët e Kosovës për pasojat e rënda, duke përfshirë integrimin ndërkombëtar dhe euroatlantik të Kosovës, nëse vendi vazhdon ta ndjekë këtë rrugë”, citon EU Observer deklaratën e lëshuar nga shtetet e QUINT-it dhe SHBA-ve, transmeton Telegrafi.

“Krijimi i Dhomave të Specializuara ishte e vetmja mënyrë që Kosova të dëshmojë angazhimin e saj për… sundimin e ligjit dhe vazhdimin e marrjes së mbështetjes ndërkombëtare”, thuhej ndër tjera.

EU Observer shkruan se partia e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj është përpjekur gjatë dhjetorit ta shfuqizojë ligjin e vitit 2015 që mbështet bashkëpunimin e Kosovës me Gjykatën Speciale. Por, nuk arriti të marr vota të mjaftueshme, ndërsa BE-ja dhe SHBA-të po frikësohen se AAK-ja mund ta inicioi sërish këtë nismë gjatë këtij muaji.

Ndryshe, gjatë vizitës së tij në komunën e Gjakovës, Haradinaj ka deklaruar para gazetarëve gjatë të enjtes se ka qenë kundër krijimit të Gjykatës Speciale edhe sa ishte në opozitë dhe është kundër edhe tani.

Ndërkaq, deputeti Daut Haradinaj, ka deklaruar gjatë javës së kaluar se “arrestimet e para nga kjo gjykatë do të aktivizonin ish-pjesëtarët e UÇK-së”.

Më tej në këtë artikull thuhet se nismës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale iu bashkëngjit edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili gjatë dhjetorit fali vëllezërit Kiqina dhe Ramadani.

Referuar artikullit të EU Observer, Daut Haradinaj dhe Hashim Thaçi, të cilët ishin zyrtar të lartë të UÇK-së, pritet të përballen me Gjykatën Speciale.

Deklarata e shteteve të QUINT-it dhe SHBA-së gjatë të enjtes, pason atë të Ambasadës amerikane në Prishtinë gjatë 29 dhjetorit.

SHBA-të kanë paralajmëruar edhe më herët se heqja dorë nga bashkëpunimi me Gjykatën Speciale “do të kishte pasoja negative për të ardhmen evropiane të Kosovës”.

Duke iu referuar paralajmërimit të Daut Haradinajt, ambasada amerikane ka bërë të ditur se “kërcënimet për dhunë janë plotësisht të papranueshme”.

“Jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer me ata që do të sakrifikonin të ardhmen e vendit të tyre dhe mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për interesa personale”, thuhej në deklaratë.