EULEX dënon vrasjen e Oliver Ivanoviqit

16.01.2018 18:40:02

Shefja e misionit EULEX, Alexandra Papadopoulou, dënon fuqishëm aktin kriminal që i mori jetën politikanit serb Oliver Ivanoviq dhe u bën thirrje autoriteteve relevante që të veprojnë shpejtë dhe me efikasitet në mënyrë që të arrestohen kryerësit e këtij akti makabër.

“Misioni ynë është i gatshëm që të ofrojë përkrahje sipas mandatit që ka”, thuhet në komunikatën e shefes së EULEX-it.

“Në emrin tim dhe Misionit të EULEX-it shprehi ngushëllimet e sinqerta familjes dhe miqve të zotit Ivanoviq. I bëj thirrje atyre që kanë ndonjë informacion relevant i cili mund të çojë deri tek arrestimet e mundshme lidhur me vrasjen e z.Ivanoviq, që ta raportojnë atë tek autoritetet. Apeloj gjithë komunitetin që të ruajnë qetësinë dhe dinjitetin në këto momente të vështira “, tha Papadopoulou, shefe e misionit të EULEX-it.