Euro 2020/ Edy Reja sjell “gjak të ri”, 12 talente në listën paraprake anti-Moldavi

21.05.2019 18:45:54

Kombëtarja shqiptare nis këtë të martë grumbullimin për dy ndeshjet e radhës për kualifikueset e “Euro 2020”, atë me Islandën më 8 qershor dhe ndeshjen me Moldavinë më 11 qershor, në “Elbasan Arena”.

Trajneri i kuqezinjve, Edy Reja ka përpiluar një listë paraprake të të grumbulluarve, të cilët sot në orën 17:00 do të zhvillojnë edhe stërvitjen e parë. Kujtojmë këtu që kjo është listë paraprake, pasi lista zyrtare do të shpallet më 27 maj, në orën 11, kur edhe do të dalë në konferencë për shtyp.

Në këtë listë përfshihen 10 futbollistë që sapo kanë përfunduar sezonet e tyre me klubet respektive, mes të cilëve figuron edhe emri i Bruno Telushit të Partizanit.

Këta futbollistë u grumbulluan jo vetëm për të ruajtur gjendjen e tyre fizike, por edhe për t’u vëzhguar nga pranë nga stafi teknik i skuadrës.

Por, trajneri Reja vendosi që të grumbullojë në këtë fazë paraprake të përgatitjeve edhe 12 lojtarë të skuadrës së U21-shit, që sapo kanë përfunduar sezonin e tyre dhe që janë edhe në listën e trajnerit Alban Bushi për sfidën zyrtare me Turqinë dhe dy miqësoret me Uellsin.