Euro 2020/ FSHF prezanton uniformat e reja të kuqezinjve

20.03.2019 20:36:30

Më 22 mars Shqipëria do të nisë me ndeshjen përballë Turqisë në “Loro Boriçi” aventurën e re në futboll me synimin për të përsëritur suksesin e De Biasit, duke u kualifikuar në finalet e Europianit 2020.

Hyrja në këtë etapë të re është shoqëruar edhe me prezantimin e uniformave të reja që kuqezinjtë e Cristian Panucci-t do të mbajnë veshur gjatë kompeticionit.

Uniforma që do të mbajnë veshur portierët, është pothuajse e njëjtë, me ngjyrë jeshile, dhe disa shirita të zi të vegjël, në pjesën e shpatullave.

Edhe uniforma e dytë dhe e tretë, në thelb janë të njëjta. E dyta, do të jetë e bardhë, me një jakë të zezë, si edhe tutat e bardha.

Ndërsa, e treta do të jetë tërësisht e zezë, me tutat dhe getat gjithashtu të zeza.

Ndërkohë, uniforma e parë do të jetë e kuqe, me jakë të zezë, ndërsa tutat do të jenë të zeza, e getat në ngjyrë të kuqe. Risia e “Macron” këtë herë konsiston në figurën e vendosur përpara të tre llojeve të fanellave.

Ajo do të jetë një shqiponjë, disi e ngjashme me fanellat e Euro 2016, por tashmë në një formë paksa më të çrregullt dhe abstrakte. FSHF kishte ftuar modele e modelë për prezantimin e fanellave, duke mos i provuar te protagonistët kryesorë që do t’i mbajnë veshur.