Europa nën objektivin e ISIS, Franca: Kërcënimi i lartë

22.11.2016 18:57:19

Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi një paralajmërim për të gjithë qytetarët e tij mbi një rrezik të ri sulmesh terroriste nëpër Europë, sidomos gjatë sezonit të festave.

Qytetarët amerikanë, thuhet në njoftimin e tij, duhet të bëjnë shume kujdes gjatë festivaleve, eventeve apo blerjeve në tregje te hapura. Sipas DASH, ka informacione të besueshme se ISIS, Al Kaeda dhe grupe të lidhura me to nuk kanë hequr dorë nga thurja e planeve për të goditur kontinentin e vjetër.

Në mënyrë të veçantë, kërkohet vigjilencë gjatë organizimeve të mëdha festive, vizitave në zonat turistike, përdorimit të transportit publik dhe frekuentimit të vendeve të kultit, restoranteve, hoteleve etj. Paralajmërimi për udhëtimin drejt Europës skadon më 20 shkurt te vitit 2017.

Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, sqaroi më herët se kishte një mobilizim total të shërbimit francez të anti-terrorit.

“Kërcënimi terrorist nuk ka qenë kurrë më parë kaq i lartë në territorin tonë. Sfida e luftës ndaj terrorizmit është e jashtëzakonshme. Ne kemi marrë masa të mëdha, por është e pamundur të garantohet rrezikshmëria zero dhe ata që bëjnë premtime të tilla, e gëzojnë popullin francez. Ne po bëjmë ç’është e mundur për të shmangur kërcënimin terrorist e për të mbrojtur njerëzit”, u shpreh Bernard Cazeneuve, ministri i Brendshëm francez.

Në Strasburg, ku pati disa të arrestuar gjatë një operacioni anti-terrorist këtë fundjavë, tregu i përvitshëm i krishtlindjeve çelet të premten. Disa prej tezgave megjithatë janë vënë përpara dhe kanë filluar që tani të tërheqin turiste.