F1 Rusi, humbi Alonso, zbulohet Bottas

01.05.2017 13:03:50

Në pritje që Ferrari të tregonte hapin e avantazhit ndaj Mercedes, një manovër e fortë nga finaldezi Bottas përmbysi planet dhe vendosi shenjën e barazisë për momentin në përballjen e re, Mercedes-Ferrari. Në Sochi të Rusisë u fiksua një nga garat më të bukura të botërorit, por si janë vlerësuar pilotët për këtë garë?

VALTTERI BOTTAS – 9
Edhe pse ju deshën 81 gara për të provuar shkallën më të lartë të podiumit, dukej se finaldezi kishte kohë që në mendjen e tij ishte ngjitur atje. Një start perfekt dhe më pas shumë besim e vendosmëri i dhanë mundësinë të tregojë se ende Mercedes është një superfuqi në F1. Një goditje edhe në raportin e hierarkisë ndaj Hamlton.

SEBIASTIAN VETTEL – 7,5
I mrekulloi të gjithë idhtarët e Ferrarit me pole position që vendosi të shtunën, por po aq i zhgënjeu kur u parakalua nga makina e dytë e Mercedes në garë. Tentativat për të rikuperuar në finale, ishin të pamjaftueshme për të realizuar fundjavën perfekte. Lajmi i mirë është që konkurrenti direkt mbeti pas.

KIMI RAIKKONEN – 7
Rikthimi në podium është një shenjë e mirë, por lajmi keq janë 10 sekondatat më ngadalë se e njejta makinë Ferrari.

LEWIS HAMILTON – 6
Ishte vetëm fizikisht në Rusi, pasi asgjë nga potenciali i tij nuk u pa në fundjavën ruse për nënkampionin e botës. Si asnjë garë më parë nuk është parë një Hamilton që të ankohet për çdo gjë.

MAX VERSTAPPEN – 7
Red Bull është një kohë mbrapa, por duke shpresuar që zhvillimi i makinës do të vijë përgjatë sezonit, Verstappen vazhdon të tregojë se është një pilot me shumë vlera.

FORCE INDIA – 7
Në kërkim të rivales së tretë sezonale, Force India po gjen rrugën e duhur falë talentit të Perez dhe shenjave inkurajuese nga debutuesi Ocon.

FERNANDO ALONSO – pa notë
Formula 1 humbi një nga kampionët në Rusi, Fernando Alonson që braktisi makinën pa filluar garën dhe në dorë mori biletat për një udhëtim shpejtësie në Amerikë. /top-channel.tv/