Fadil Ferati, model i atdhetarit dhe politikani të përkushtuar

30.01.2018 16:57:12

Nga Rexhep Kastrati

Kur më 30 janar 2010 u dha lajmi për kalimin në amshim, Fadil Ferati mbyllte gjysëm shekulli jetë të bujshme dhe me veprimtari kombëtare e politike që nuk do ta harrojnë jo vetëm istogasit, por edhe Kosova mbarë.

Dhe veprimtaria politike e kombëtare e Fadil Feratit, është e lidhur pashkëputshmërisht me LDK-në, me partinë që ridimensionoi dhe afirmoi çështjen shqiptare në përgjithësi dhe çështjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, dhe u bë bartëse e lëivizjes Liri, Pavarësi, Demokraci, të cilën e themeloi dhe e udhëhoqi ajo.

Ajo që duhet thënë në këtë kontekst, z. Ferati që nga viti 1990 e deri më 2010, kur edhe kaloi në amshim, 20 vjet nga 50 sa jetoi, ia përkushtoi veprimtarisë politiko-institucionale për të organizuar, mbështetur dhe frymëzuar qytetarët në lëvizjen Liri, Pavarësi, Demokraci, duke qenë i përkushtuar, i vendosur dhe i pakompromis në realizimin e tri qëllimeve kryesore: lirinë, pavarësinë dhe demokracinë.

Me urtinë e tij, me guximin dhe përkushtimin e tij, z. Ferati, udhëhoqi degën e LDK-së në Istog, duke qëndruar burrërisht dhe duke përballuar të gjitha sfidat me të cilën u ballafaqua kjo degë dhe LDK në përgjithësi, dhe duke mposhtur çdo herë kundërshtarët e tij në të gjitha zgjedhjet politike, por edhe në aspektin e moralit politik, autoritetit dhe pranueshmërisë qytetare.

Fadil Ferati nuk ka ditur për humbje politike, edhe pse veprimtaria kriminale kishte goditur rëndë LDK-në dhe degën e saj në Istog. Duhet të kujtojmë së në vitin 2000, krimi politik kishte marrë jetën e Shaban Manajt, në përpjekje për të futur psikologjinë e tmerrit dhe të terrorit te veprimtarët e LDK-së dhe te qytetarët.

Me personalitetin e tij, me vullnetin, përkushtimin dhe kurajon e tij, Fadil Ferati bëri që jo vetëm të mos realizoheshin synimet e lartpërmendura të kriminelëve politikë, por të arrinte fitore të thella.

Për të gjitha këto, z. Ferati pat vlerësimin e LDK-së dhe të presidentit Rugova, kurse në opinion njihet si bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Rugova.

Përvojën e tij, përkushtimin dhe aftësitë e tij, Fadil Ferati do t’i vëjë në shërbim të vendit dhe të LDK-së, duke shërbyer me përkushtim deri në fund, kur edhe do të kalojë në amshim tetë vjet më parë.

Kalimi i tij në amshim që erdhi si pasojë e sëmundjes, nuk ishte fjala e fundit e tij, pasi që me veprimtarinë e tij, me përkushtimin dhe me personalitetin e tij, z. Ferati mbeti modeli i një atdhetari të përkushtuar, i një politikani popullor, i një institucionalisti të vendosur, i një kryetari të vlerësuar dhe të paharruar nga qytetarët.