Fadil Kajtazi: Ku ka fat ma tragjik për një popull kur në kulmin e luftës i vriten gjeneralët, për t’ia lënë injorancës në dorë komandën e ushtrisë

28.05.2019 00:47:57

Fokusi.org. sjell edhe fjalën e Fadil Kajtazit mbajtur në Zvicër me rastin e promovimit të dy librave të ministrit, kolonel Ahmet Krasniqi, ashtu siç e ka mbajtur, dhe siç na e ka dërguar veprimari dhe ish-kryetari i degës së LDK-së në Zvicër, Haki Latifi:

Promovimi në Zvicër i ditarit të Kolonel Ahmet Krasniqit “shtatëmbëdhjetë shtatori”

„Të nderuar, ne sot po paraqesim para jush dy botime, një ditar dhe një analizë ushtarake të lëna dorëshkrim nga kolonel Ahmet Krasniqi, Ministër i Mbrojtës i Republikës së Kosovës, të cilat arritën të shohin dritën e botimit nën përkujdesjen e shkrimtarit, gazetarit, politikanit dhe diplomatit Skënder Zogaj.
Kur lexova këto dorëshkrime, mbeta i shtangur dhe u ndjeva shumë i vogël, për të analizuar atë që kishte hedhur në letër Ahmet Krasniqi i madh.
Kur fillon së lexuar këto dorëshkrime, tani të përmbledhura në dy libra, s’ka se si të mos trishtohet njeriu, s’ka se si të mos hutohet, s’ka se si të mos lëndohet shpirtërisht për fatin tragjik të një njeriu të madh të kombit shqiptar.
Çka në të vërtet një lexues i kujdesshëm do të gjej në këtë ditarë?
E para, që në fillim lexuesi do të vërej se përballët me një mendje të ndritur, me një intelektual të mirëfilltë. Ditari i Ahmet Krasniqit i titulluar “Shtatëmbëdhjetë shtatori” nuk është një evidencë e thjeshtë e përditshmërisë së tij të kaluar në burgjet e ushtrisë jugosllave, por është një ditarë i thurur sipas një metodologjie që lexuesit të sotëm i vihet në dispozicion kronologjia e shkatërrimit të ngrehinës të quajtur Jugosllavi.
Ndonëse në rrethana burgu, Koloneli përshkruan me elokuencë antagonizmat e popujve sllav ku shpërfaq shovinizmin serb si gjenerator të krizës jugosllave.
Së dyti, në ato rrethana të vështira Koloneli ja arrin t’i ruaj me dinjitet rrënjët e trungut që i përkiste, atij shqiptar; Ai me vetëdije kaloi në anën e drejtë, edhe pse i dinte pasojat, ai as edhe vetëm njëherë nuk u ligështua, nuk ra përtokë para inkuizitoreve, as një herë nuk kërkoi lëmosh pre tyre. Koloneli ishte i bindur se KOS-i e dinte që ky me dëshirë ua kishte dorëzuar kroatëve 11 mijë gryka zjarri, por ata nuk kishin prova për ta faktuar këtë, prandaj karakteri i tij i fortë bëri që ai të ruante qetësinë, inteligjenca e tij bëri që të përballet me hetuesit e specializuar të KOS-it dhe për as një qastë atyre të mos ju krijoj alibi.
Së treti, ky ditar u shkrua në burg, dhe siç e shpjegon vet Koloneli përmes fusnotës, ishte i vetëdijshëm se në kohën kur atë e nxirrnin në shëtitje ose kur e dërgonin ta merrnin në pyetje, pjesët e shkruara KOS-i i fotokopjonte. Por, pavarësisht kësaj, ditari, fund e krye ka përmbajtjen të shkruar nga një shqiptar. Sikur ky ditar mos ta shihte dritën dhe të kishte mbetur anonim, me lehtësi do të kuptohej se është i shkruar nga një shqiptar i burgosur. Koloneli në mënyre indirekte persekutorëve ju dërgonte mesazhe se ju po më mbani vetëm se jam shqiptar. Ky është edhe përshkrimi simbolik i historisë fatkeqe të shqiptarëve nën regjimet serbe nga viti 1912 e këtej. Në mbamendjen e Ahmetit janë të fiksuara torturat mbi familjen (po citoj :“I kam parë me sytë e mi, torturat mizore mbi trupin e babës, Hajrizit, që vetëm policët serbë nën urdhëratë e UDB-së dinin t’i bënin. Zemra e fëmijës i përjeton tmerrshëm dhembjet për prindin. Tërë jetën kanë qëndruar para syve të mi, skenat makabre të torturimit të babës. O, Zot i Madh, sa të tmerrshme janë!” Këto “skena makabre” ishin pjesë e formësimit të karakterit të Ahmet Krasniqit, vigjilent dhe atdhedashës që pret çastin për t’u vu në shërbim të popullit të tij të shumëvuajtur.

Së katërti, duke shfletuar ditarin, por edhe librin me analiza ushtarake “Shqiptarët në luftën kroate” kuptojmë se kemi të bëjmë me një intelektual të mirëfilltë i cili nuk ka kaluar do si do nëpër karrierën ushtarake. Koloneli është lexues i pasionuar, as krizat më të mëdha atë nuk e ndajnë nga libri. Vetëm gjatë qëndrimit lexon një varg të gjatë veprash të letërsisë botërore, filozofisë, historisë, publicistikës. Nga komentet që Koloneli ua bën autorëve që i lexon, lehët kuptohet se ishte i brumosur me idetë e klasikëve të filozofisë, historisë, letërsisë dhe që është më e rëndësishmja të artit të luftës.
Dhe nga kjo trashëgimi e lenë, të cilën falë Skender Zogajt e kemi të botuar, do të kuptojmë se: Ahmet Krasniqi gjatë gjithë jetës ju përkushtua përgatitjes vendimtare, të një akti të vetëm: triumfit mbi barbarinë shekullore të ushtuar nga Ushtria e Serbisë, duke zotëruar artin dhe shkathtësitë e armikut të familjes dhe popullit të tij.
Dhe mrekullisht ja doli kur Koloneli Amet Krasniqi emërohet Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës.
Përherë të parë në historinë 100 vjeçare të konfliktit serbo-shqiptar, Ushtria e Serbisë u ndesh me formacion të rregullt ushtarak shqiptarë në Betejën e Loxhës me 6 Korrik 1998. Në këtë betejë, Brigada 143 UÇK-së e formuar nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, ministër i së cilës ishte Ahmet Krasniqi dhe e komanduar nga Kolonel Tahir Zemaj, ju shkaktoi disfatë formacioneve ushtarake serbe.
Nga kjo fitore, sigurisht se ai do të ketë kuptuar që ora e tij dhe e shqiptarëve kishte ardhur, siç do të kenë kuptuar edhe armiqtë se përballë kanë strategun i cili do t’i turpëroj në fushëbetejë – prandaj edhe vepruan me shpejtësi.
Se pas gjithë golgotës 100 vjeçare shqiptare, kishte mbetur ende dorë shqiptare që do të kryente porositë e padronëve serb dhe, do të shtinte pas shpinës në vrullin çlirimtar shqiptar, ketë nuk e kishte menduar kurrë Koloneli Ahmet Krasniqi. Fatkeqësisht, armiku atë dorë e gjeti në kryeqytetin e Shqipërisë.
Ku ka fat ma tragjik për një popull kur në kulmin e luftës i vriten gjeneralët, për t’i lënë injorancës në dorë komandën e ushtrisë. Dhe sipas historisë së luftës, po t’i vrasës armikut gjeneralin është art në vete, është stratagjema kulmore. Sigurisht që lajmi i vdekjes së Ahmetit në Beograd, në qendrat e shërbimeve sekrete që sajuan vrasjen, do të jetë pritur me gëzim.
Nga ajo që la trashëgim Ministri Ahmet Krasniqi ishte Brigada 138, e cila gjithashtu theu turpshëm ushtrinë serbe në betejën e lavdishme të Kosharës. Sa beteja do të ishin të lavdishme sikur me luftën për çlirimin e Kosovës të udhëhiqte Kolonel Ahmet Krasniqi? Sigurisht që këto beteja Kosovës tonë do t’i krijonin një fytyrë tjetër; Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të ishte vërtetë çlirimtare, minimumi tre qytete ajo do t’i çlironte dhe do të hynte triumfuese, Kosova do të ishte më ndrysh, më me dinjitet dhe më krenare se sot. Nuk do të ndodhte që në gjykata ndërkombëtare të dënoheshin oficerët dhe ushtarë, nuk do të ndodhte që pas 19 viteve çlirim të vihet në diskutim territori i Republikës së Kosovës për të cilin dha jetën Kolonel Ahmet Krasniqi.“

Fadil Kajtazi
25.05.2019 Zofingen – Arau
26.05.2019, Burgdorf – Bern