Fadil Vokrri ngushëllon familjen Pllana për vdekjen e 17 vjeçarit

11.12.2017 19:31:25

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ka ngushëlluar familjen Pllana për vdekjen e 17 vjeçarit Shkëlqim Pllana, i cili dje u ther me thikë në Prishtinë.

Shkëlqim Pllana ishte futbollist që mbronte ngjyrat e KEK-ut, kurse më parë kishte luajtur edhe për 2 Korrikun,

Ai ishte therur me thikë dje rreth orës 19:10, kurse kishte ndërruar jetë rreth orës 22:00 nga plagët e marra.

Vokrri ka ngushëlluar familjen Pllana, ndërsa ka kërkuar nga organet e rendit që të zbardhin rastin dhe kryerësit e veprës të marrin dënimin e merituar.

Më poshtë keni telegramin e ngushëllimit të presidentit të FFK-së për familjen Pllana:

E nderuara familje e Shkëlqim Pllanës!

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen tragjike të Shkëlqim Pllanës, ish-futbollist i 2 Korrikut e tash i KEK-ut, ndaj ju lutem që në emrin tim, KE, klubeve dhe adhuruesve të futbollit, me lejoni t’ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta dhe më të thella.

Ndonëse i ri, Shkëlqimi u shqua si futbollist i mirë, një shok i shkëlqyeshëm dhe nxënës shembullor. Ne shpresojmë dhe besojmë se organet përgjegjëse shtetërore, do ta zbardhin rastin dhe ata që ndaluan jetën e Shkëlqimit në lulen e rinisë do ta marrin dënimin e merituar.

Në këto momente të vështira të gjithë jemi pranë jush, për ta përballuar dhimbjen dhe humbjen e njeriut më të dashur për ju.

Me respekt

Fadil Vokrri, president i FFK-së