Fahrudin Radonçiq në gjykimin e Naser Kelmendit

27.10.2016 10:29:12

Deputeti boshnjak Fahrudin Radonçiq do të dëshmojë sot në gjykimin e Naser Kelmendit.

Fahrudin Radonçiq që përveç deputet është edhe themelues dhe kryetar i partisë Unioni për një të Ardhme më të Mirë të Bosnjës është dëshmitari i sotëm në gjykimin ku Naser Kelmendi akuzohet për vrasje dhe një varg veprash që lidhen me trafik narkotikësh.

Aktualisht politikani boshnjak Radonçiq ka ardhur në Pallatin e Drejtësisë, ndërsa seanca është shtyrë për një orë ngase mungon i akuzuari Naser Kelmendi.

Vetë Radonçiq është duke u gjykuar për pengim të drejtësisë në Bosnjë, pasi sipas prokurorisë së atjeshme ai urdhëroi kolegët e partisë që të ndikojnë në mjeken Azra Sariq e cila ishte paraparë të dëshmonte në gjykimin e Kelmendit.

Radonçiq është deklaruar i pafajshëm duke i mohuar pretendimet se është përfshirë në çështjen e Kelmendit.

Edhe Azra Sariq dëshmoi gjatë gjykimit të Kelmendit, por seanca kur ajo dëshmoi ishte e mbyllur.