Fajdexhinjtë dalin para Gjykatës në Prizren (Video)

17.10.2016 23:49:07

Trupi gjykues do të vendosë në ditët në vijim rreth kërkesës së avokatëve të të akuzuarve për ta hedhur poshtë aktakuzën kundër grupit të akuzuar për krim të organizuar, fajde e vepra të tjera të rënda penale. Ndërsa është refuzuar ndërprerja e paraburgimit për të akuzuarit.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Merita Binaj–Rugova, kërkoi sot nga trupi gjykues në Prizren që të refuzojë kërkesën e avokatëve mbrojtës për të hedhur poshtë aktakuzën e ngritur kundër 14 personave të akuzuar për krim të organizuar, fajde, detyrim, organizim të skemave piramidale, bixhoz të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje.

“Konsiderojmë se aktakuza është e bazuar në prova të mjaftueshme dhe të vlefshme me të cilat është dëshmuar se të pandehurit me dashje direkt i kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen. Po ashtu, e konsiderojmë se çdo provë që është e propozuar që të administrohen gjatë shqyrtimit kryesor është siguruar në tërësi në pajtim me dispozitat e Kodit të procedurës penale. Për këto arsye kërkoj që kërkesa të refuzohet si e pabazuar”, tha prokurorja Merita Binaj-Rugova.

Po ashtu, në këtë seancë, mbrojtësit e të akuzuarve Tunë Kqira, Kastriot Kqira, Gjon Kqira, Marjan Kqira, Benson Buza dhe Besfort Omaj, kërkuan nga kryetari i trupit gjykues ndërprerjen e paraburgimit, me arsyetimin se kanë pushuar shkaqet ligjore me të cilat është caktuar paraburgimi.

Por, kryetari i trupit gjykues e refuzoi këtë kërkesë dhe la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin u është vazhduar paraburgimi.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Të akuzuar në këtë rast janë: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Katinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.