Faktorizimi i Serbisë në Kosovë!

18.06.2017 17:03:06

Nga Rexhep Kastrati

Serbia, pasi që arriti ta rrëzojë Qeverinë e Kosovës në krye me kryeministrin Mustafa, tash po e kërkon për vete postin  e kryeministrit, ose të kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Në këtë mënyrë, po del qartë se në Kosovë,Serbia është faktorizuar tepër shumë dhe po përcakton zhvillimet brenda saj. Mirëpo, ky faktorizim nuk është bërë tash, por ka filluar qysh pas luftës kur rekrutë të saj shqiptarë organizonin sulme gjoja terroriste ndaj ndonjë serbi që kish mbetur në ndonjë apartament në ndonjë qytet të Kosovës. Në këtë fazë, faktorizimi i Serbisë në Kosovë ishte bërë në mënyrë indirekte si shqertësim për fatin e serbëve në Kosovë. Kjo fazë ka zgjatur deri në vitin 2004, përkatësisht deri më 18 mars, kur edhe iu vu vula ndarjes etnike të Kosovës. Mirëpo, kjo linjë ka vazhduar dhe vazhdon edhe sot dhe është një “argument” që Serbia e përdor për të arsyetuar çdo pretendim të saj në raport me Kosovën. Edhe në kohën e trenit dhe të murit, Serbia paraqiti si “argument” rrezikun që u kanosej serbëve nga shqiptarët. Madje Nikoliq, por edhe Vuçiq patën paralajmëruar edhe mbrotjen e tyre, pra ndërhyren në Kosovë.

Faktorizimi institucional, po ashtu ka një trajektore në ngritje që pikë kumore kishte pas zgjedhjeve të para të përgjithshme të vitit 2001, kur PDK, AAK dhe të tjerët u bënë bllok kundër zgjedhjes së presidentit Rugova në postin e të parit të vendit. Dhe për opinionin ishte ineteresant se ishin bërë bashkë i ashtuquajturi krah i luftës me serbët dhe pakicat tjera joshqiptare, pra ishin bërë bashkë ata që gjoja kishin bërë luftë kundër njëri-tjetrit. Pas këtij momenti, faktorizimi institucional i Serbisë në Kosovë është vërejtur kur Hahsim Thaçi krijoi një Qeveri të pakicës me pakicat, me ç’rast shumica shqiptare mbeti në opozitë. Gjatë kësaj kohe bie edhe fillimi i procesit negociator, i cili ishte vazhdim i negocatave të Vjenës, por i legalizuar dhe i imponuar me Rezolutën e vitit 2010 të AP të OKB-së. Gjatë kësaj kohe arrihen marrëveshjet më të rënda për Kosovën, pra edhe Marrëveshja e Parë, përkatësisht Marrëveshja e 19 prillit 2013 kur edhe është sanksionuar detyrimi ndërkombëtar për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe ishte negociuar dhe përmbyllur marrëvesha për demarkacionin me Malin e Zi.

Një faktorizim  të Serbisë, ka edhe gjatë legjislaturës së kaluar, kur edhe filloi hakmarrja e saj kundër kryeministrit Mustafa dhe Qeverisë së drejtuar prej tij për shkak se kishte refuzuar vazhdimin e vendeve të rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës, për shkak se kishte ndërprerë traditën dhe modelin qeverisës të Hashim Thaçit e që ishte model i lëshimeve të vazhdueshme ndaj serbëve. Se Serbisë i prishte punë pse drejtimin e Qeverisë e kishte marrë LDK dhe kryeministri Mustafa u dëshmua që në fillim kur edhe filloi skenarin për destabilizimin e Kosovës e që ia zbatuan bashkarisht lista “Srpska”, PDK, VV, AAK, Nisma. Dhe skenari filloi qysh në janar të vitit 2015, kur Jabllanoviq provokoi shqiptarët me një fyerje ndaj nënave gjakovare, dhe kur Vulin e krahasoi Gjakovën me Raqqa-n, kurse Kosovën me Sirinë. Pas kësaj, pasoi shkarkimi i Jabllanoviqit, i cili më tej provokoi largimin e listës “Srpska” nga institucionet, rikthimi i të cilëve u bë pas ndërhyjres së Serbisë. Me kalimin e kohës, ndërhyjra e Serbisë në Kosovë u rrit dhe u zbatua në destabilizimin e Kosovës dhe në kushtëzime të ndryshme. Lista “Srpska” shumë kohë bojkotonte institucionet dhe kushtëzonte vendim-marrjen. Refuzimi kategorik i kryeministrit Mustafa për të pranuar kushtet e listës “Srpska”,  epër më tepër qëmdrimi kategorik i tij se nuk do të lejohen të futen zyrtarë të Serbisë në Kosovë pa leje, ndalimi i futjes së Nikoliqit në Kosovë, ndalimi i trenit, rrëzimi i murit dhe shumë çështje të tjera e gjindosën Serbinë derisa nuk e fshehën qëllimin e saj: Vulin dha urdhër që Qeveria e Kosovës të rrëzohej. Dhe ky urdhër u zbatua me përkushtim nga PDK, VV, AAK dhe Nisma bashkë me listën “Srpska”, e cila u rikthye pas një bojkoti, vetëm për të përmbushur këtë urdhër të Serbisë.

Kulmi i faktorizimit të Serbisë në Kosovë ishte kur Hashim Thaçi doli me nismën për FK-në,  e cila doli se ishte bashkërenduar me Serbinë, por jo edhe me institucionet e Kosovës dhe me aleatët tanë stratwegjikë që e kanë në mbikëqyrje FSK-në. Dhe në këtë linjë ishte marrëzia kur Kadri Veseli pat deklaruar se edhe nëse LDK bën koalicion me VV-në, ne kemi serbët, duke bërë të qartë se në konceptin e tyre ende ishte koncepti i qeverisjes me pakicat, sikurse Hashim Thaçi. Mirëpo, tash serbët kanë rritur nivelin e kërkesave: ata duan o drejtimin e Qeverisë, o të Kuvendit, duke kapur majat e pushtetit në Kosovë.  Mrëpo, kjo është vetëm një kërkesë që shpërfaq nivelin aktual të faktorizimit të Serbisë në Kosovë, kurse gjatë ditëve, javëve dhe muajve do të ketë forma edhe më të rënda të faktorizimit të Serbisë në Kosovë që nuk mund të merren me mend. Nëse mund të perifrazohet ajo thënia e Edi Ramës, mund të thuhet: Nuk keni parë gjë akoma!

Dhe ajo që duhet të shihet është mundësia që kërkesa e Marko Gjuiqit për të drejtuar Kuvendin apo Qeverinë e Kosovës, a shpreh ndonjë marrëveshje të hershme të PDK-së me listën “Srpska”, apo është një shantazh për të penguar krijimin e institucioneve të Kosovës!