Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit triumfon në turneun ‘Burim Hatipi 2016’

20.01.2017 16:33:30

Fitues i turneut memorial “Burim Hatipi 2016”, është ekipi i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit.

Në finale skuadra e udhëhequr nga dekani Musa Selimi, mposhti ekipin e parë të gazetarëve me rezultat 3:0, me dy gola të Besim Ademit dhe një të Muhamet Ahmetit.

Sivjet në këtë turne morën pjesë 6 ekipe, FC Prishtina veteranët, Komiteti Olimpik i Kosovës KOK, Fakulteti i Gazetarisë, Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit dhe dy skuadra të gazetarëve sportiv. Në ndeshjen hapëse ekipi i parë i gazetarëve eliminoi Fakultetin e Gazetarisë me rezultat 5-0.

Shorti e qoi fituesin e këtij dueli direkt në finale. Prishtina u eliminua në rrethin e parë, pasi humbi 6-2 nga Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit. Shpejtë u eliminua edhe Komiteti Olimpik i Kosovës në rrethin e parë, duke pësuar disfatë nga ekipi i dytë i gazetarëve 7-2. Në gjysmëfinale u ballafaquan Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit kundër ekipit Gazetarët 2. Përfaqësuesit e UP-së, siguruan finalen duke fituar me rezultat 3-1, pas një ndeshje shumë të luftuar, ndërsa në finale mposhtën edhe ekipi e parë ta gazetarëve.

Komisioni i përbërë nga Abaz Kosumi dhe Xhavit Kajtazi zgjodhën dekanin e FEFS-së, Musa Selimi futbollistin më të mirë të turneut. Fanellën me nr.8 të cilën e ka mbajtur i ndjeri Burim Hatipi, i biri Vërshimi, ia dorëzoi Selimit. Ndërsa kryetari i SHGSK-së, Arlind Grantolli në fund dorëzoi edhe trofeun për fituesin e këtij turneu, Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit.

Këtë edicion në total u shënuan 29 gola, me 16 realizatorë të ndryshëm. Më së shumti gola pati futbollisti i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Besim Ademi, pesë gola.