Falja e kamatvonesave, Basha: Qokë e Ramës në prag të zgjedhjeve

18.12.2016 21:27:55

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar pas deklaratës së Ramës mbi faljen e kamatëvonesave të pensionistëve dhe të njerëzve në nevojë. Basha, edhe pse ka vlerësuar vendimin e qeverisë, ka thënë se është diçka e vonuar.

“Edi Rama më në fund pranon dëmin e madh që u bëri shqiptarëve në nevojë me terrorin 3-vjecar ndaj të varfërve që nuk paguanin dot dritat. Ai sot lajmëroi se do të falë kamatvonesat, që është më minimalja që i kemi kërkuar të gjithë prej të paktën dy vitesh. Kjo është gjë e mirë për shumë familje në nevojë, sidomos tani që çmimi i dritave është rritur dhe fuqia blerëse e çdo familje shqiptare ka rënë, – ka shkruar Basha në një postim në “Facebook”. – Fatkeqësisht, falja vjen tepër vonë për Qamil Zelën që u vetvra si pasojë e burgosjes së padrejtë për dritat e papaguara, për Arif Dodën dhe Llazar Nasin që u vetëvranë nga depresioni pasi OSHEE i shkëputi dritat, per 35 vjecaren Resmie Alla që vdiq duke rilidhur energjinë për vogelushët e saj azmatikë, për Barbulla Pepën që vdiq nga i ftohti, pasi OSHEE i shkëputi për 2 muaj energjinë në mes të acarit dhe për mijëra të tjerë që kaluan drama dhe tronditje psikologjike nga dhuna shtetërore ndaj tyre për më shumë se tre vjet”.

Sipas tij, e gjitha është bërë për shkak të afrimit të zgjedhjeve parlamentare, pasi kryeministri ka nevojë për votat e njerëzve.

“Shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës faktit se po afrojnë zgjedhjet dhe tani që Edi Rama ka nevojë për votat e njerëzve do përpiqet t’u hedhë edhe atyre ndonjë qokë të vogël, pasi tre vjet në pushtet ka menduar vetëm për pasuritë e tij dhe klientëve të tij duke grabitur paratë e qytetarëve”.

Për Bashën, Rama ka pranuar se dëmin që u ka shkaktuar shqiptarëve në këto 3 vjet qeverisjeje.

“Falja e detyroi Kryeministrin që të nxjerrë veten gënjeshtar: në nëntor 2014 ai pati deklaruar se 98 për qind e pensionistëve dhe 93 për qind e personave me aftësi të kufizuar e paguanin rregullisht energjinë elektrike. Sot ai u detyrua te pranojë se janë të paktën 67 mijë familje pensionistësh që nuk përballojnë dot pagesat në kohë, të energjisë dhe janë gjobitur me kamatvonesa. Megjithatë më mirë vonë se kurrë”, – deklaron Basha.