“FAMILJA DHE SHPRESA” MOGHERINI HESHT PËR LIGJIN SELEKTIV TË SPECIALËS

“FAMILJA DHE SHPRESA” MOGHERINI HESHT PËR LIGJIN SELEKTIV TË SPECIALËS

26.03.2017 21:05:40

Shoqata “Familja dhe Shpresa” i ka dërguar një letër përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian Federica Mogherini me anë së cilës i ka kërkuar që të ndihmojë dhe të lejojë Parlamentin e Kosovës për ta plotësuar ligjin për Gjykatën Speciale për krime lufte për pjesëtarët e UÇK-së.

Shoqata “Familja dhe Shpresa” nëpërmjet një komunikate sqaron se edhe pse kërkesës së qartë dhe të argumentuar se pse duhet që ky ligj të  plotësohet dhe pse që Serbia dhe kriminelët e Serbisë duhet të gjenden në tavolinën e të akuzuarve në këtë gjykatë të re në Hagë, Federica Mogherini, e ka devijuar esencën e letrës dhe kërkesë e shoqatës nga Klina.

“Ajo, në këtë përgjigje të bërë plot pas një muaji, tinëzisht i ka ikur kërkesës sonë për plotësimin e këtij ligji gjysmak dhe selektiv. Ne e dimë shumë mirë se ç’po ndodhë me gjykatat në Kosovë dhe çfarë po bënë EULEX për krimet serbe. Prandaj edhe kemi kërkuar nga ajo (Federica Mogherini) , që të ndryshojë gjendjen dhe përmirësojë punën e kotë të prokurorëve dhe gjykatësve të EULEX-it. Përkujtojmë edhe një herë se Serbia nuk po i dërgon kriminelët e saj në gjykatat tona dhe nuk do t’i dërgojë kurrë,” tha përfaqësuesja e ‘Familja dhe Shpresa’,  Zana Bytyqi-Geci në një komunikatë lëshuar për media.

“Familja dhe Shpresa” do të vazhdojë dhe nuk do të ndalet së kërkuari, pos nga Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës, edhe nga institucionet e BE-së, qeveritë e vendeve anëtare të BE-së dhe nga qeveria e SHBA-së që ky ligj selektiv të plotësohet dhe përmirësohet.

“Ne nuk do të ndalemi, deri sa drejtësia e vërtetë ta gjej vendin e vet, e kjo do të thotë që Serbia dhe vrasësit e saj, ende të lirë, të dërgohen para drejtësisë atje në këtë gjykatë në Hagë, të cilën me duart e tyre e formuan qeveritarët dhe parlamentarët e verbër të Kosovës nën presionin e perëndimorëve, pra edhe të vet zyrës që e udhëheq Mogherini e para saj e udhëhiqte Catherine Ashton”, thuhet në komunikatë.

Përgjigja e Federica Mogherinit nëpërmjet Eduard Auer, Kryesues i Divizionit për Ballkanin Perëndimor në EEAS, udhëhequr nga Federica Mogherini

 

E nderuar Znj. Bytyqi-Geci,

 

Dëshiroj që t’ju falënderoj për letrën e 22 Shkurtit 2017. Përfaqësuesja e Lartë dhe Zëvendës-Kryetarja  (e Komisionit Evropian) më ka kërkuar që t’ju përgjigjem në emrin e saj.

 

Bashkimi Evropian është i përkushtuar për të përkrahur hetimet dhe prosekutimin e të gjitha krimeve të bëra gjatë konfiktit. Krijimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyres të Prokurorit të Specializuar është vetëm pjesë e përpjekjeve të zgjeruara të BE-së për të hetuar dhe prosekutuar pretendimet për krime të luftës të bëra nga të gjitha palët.

 

BE ka përkrahur fuqishëm të gjitha instrumentet e krijuara nga bashkësia ndërkombëtare për t’u marrë me këto krime, duke filluar nga ajo e OKB-së – Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (GjNPJ). BE i ka ndihmuar autoritetet përkatëse në hetimin dhe prosekutimin e këtyre krimeve për misionit të ligjit e rendit në Kosovë, EULEX. Siç edhe u tha së fundi nga Kreu i Misionit, EULEX ka ngritur 450 padi për krime lufte dhe 38 raste tashmë kanë kaluar në sistemin e gjykatave. Aktualisht 43 raste të krimeve të luftës ende janë në pritje para këtyre gjykatave. Këto raste kanë të bëjnë me kryesit e krimeve dhe viktimave nga të gjitha palët.

 

Me këtë rast do të doja që përmes kësaj të shpreh, edhe në emër të PL/ZK Mogherini, solidaritetin dhe mirëkuptimin për vuajtjet e familjeve të Kosovës të cilat kanë qenë viktima të krimeve të luftës përgjatë konfliktit.

 

Sinqerisht i juaji

Eduar Auer.