Fatmir Haxholli i reagon Enver Hasanit

06.08.2016 22:07:14

Në një reagim të tij ndaj një reagimi të prof. dr. Enver Hasanit ndaj një komunikate të Këshillit Shtetëror për Demarkacionin, Fatmir Haxholli, ka shtruar çështjen e relevancës dhe irelevancës së ndërlidhjes ndërmjet Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake të Kumanovës me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Më tej, z. Haxholli e shtron çështjen e referencave juridike të këtyre dy dokumenteve ndërkombëare në pozitën e Kosovës dhe të çështjes së demarkimit kufitar. Ai pajtohet se këto dy dokumente nuk bëjnë fjalë për çështje demarkimi, pasi të dyja njihnin entitetin RFJ, në bazë të të cilit, kufijtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi njiheshin si kufij administrativë, dhe së këndejmi nuk kishte çështje demarkimi. Pakoja e Ahtisarit është dokumenti i parë ndërkombëtar që e projektoi Kosovën si shtet i pavarur, dhe e hapi çështjen e demarkimit me shtetet përreth, pra edhe me Malin e Zi, parimet e të cilës u bënë pjesë e sistemit juridiko-kushtetues të Kosovës.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e z. Fatmir Haxholli, një reagim origjinal, i veçantë dhe me një logjikë juridike, politike dhe pse jo edhe historike:

“E lexova artikullin e Prof. Hasani, them se ja vlen, dhe se njeriu gjithmonë mëson diçka të re nga Prof. Hasani. Sidoqoftë, jam i sigurte se si për shumë prej nesh, edhe për Prof. Hasanin, vetëm ata që nuk kanë njohuri në këtë temë, mund ta ndërlidhin Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rez. 1244, me temën aktuale të demarkacionit. Nga ajo që kemi parë deri tani në diskursin publik, mund të thuhet, që askush serioz nuk ka insistuar në ndonjë ndërlidhje të tillë.
Por, hajde të themi e ta pranojmë, që sado që Prof. Hasani sqaron bukur, dallimin mes Marrëveshjes së Kumanovës kundrejt Rezolutës 1244, në esencë dhe juridikisht (lexo: së paku në letër), si njëra si tjetra, vetëm se konfirmojnë ekzistencën e një entiteti, nga i cili Kosova aspironte të shkëputej apo pavarësohej, juridikisht dhe sa më shpejtë.
Marrëveshja e Kumanovës dhe Rez. 1244, nuk kanë referenca mbi demarkacionin, meqë juridikisht nuk trajtonin shpalljen e pavarësisë, si dhe nuk paragjykonin (mos)ekzistencën e Kosovës si shtet në të ardhmen, prandaj edhe nuk paragjykonin se Mali i Zi dhe Kosova do të duhej të ndër-vepronin si dy shtete, në këtë rast përmes demarkacionit. Pra, të merremi me këto dokumente në kontekst të demarkacionit është goxha jo relevante, dhe dallimet mes tyre nuk na hyjnë në punë.
Ajo çfarë na hyn në punë, është fakti që për këto marrëveshje me efekt juridik ndërkombëtar, dhe vetë realizimi i tyre në terren, ka shtruar nevojën e një vije ndarëse mes Kosovës dhe fqinjëve, e që për Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi, ka qene vija administrative, ndërsa në rastin e Shqipërisë, vija kufitare.
Një fakt që konfirmon jo relevancen e Marrëveshjes së Kumanovës dhe Rez. 1244, në kontekst të demarkacionit, është edhe referenca e Pakos së Ahtisarit ndaj marrëveshjes së demarkacionit mes ish Republikës Federale Jugosllave dhe Maqedonisë, e 23 shkurtit 2001. Pakoja thotë, që territori i Kosovës duhet të definohet sipas kufijve të Kosovës brenda ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, siç kanë qenë me datë 31 dhjetor 1998, me përjashtim, aty ku mund të këtë ndryshim me marrëveshjen e lartcekur të 2001, në të cilën duke mos qenë të pavarur, ne nuk ishim palë.
Atëherë çfarë ka rëndësi për ne? Sado që ne mund të mos na pëlqejnë disa pika të aranzhmaneve që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, e që janë të inkorporuara edhe në Kushtetutë, ne kemi pranuar kufijtë e 31 dhjetorit, 1998, ndërsa SHBA-të kanë njohur Kosovën duke ju referuar tekstualisht edhe rëndësisë së zbatimit të kësaj Pakoje, që i bie edhe obligimeve mbi kufijtë.
Na pëlqente shumë, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, afirmonte aktin e shpalljes së pavarësisë dhe vet ekzistencën e Republikës së Kosovës si realitet i ri në hartën e shteteve, duke thënë që jemi rast unik, nuk e parapëlqej termin sui-generis, ndërsa tani nuk po duam të jemi unik e ta pranojmë hapur, se kufijtë administrativ të Republikës së Kosovës, ndonëse nuk janë më të mirët për ne, në fund të fundit, ata janë të vetmit, sipas të cilit ne erdhëm në shprehje dhe ekzistojmë si shtet.
Kjo është një temë komplekse dhe ne duhet të bashke-ndjejmë me shqetësimet e njerëzve të cilët nuk është se njohin kompleksitetin politik dhe juridik të ardhjes sonë në shprehje si shtet, e që kritikojnë edhe këtë proces, por befasohem nga Prof. Hasani, që sado që i qartë dhe informues, së paku në këtë rast, pse merret apo trajton argumente periferike!”