Fatmir Limaj: Ky pushtet e ka prish harmonin mes partive politike

31.08.2016 21:55:58

Lideri i Nismas për Kosovën, Fatmir Limaj, në një intervistë për Indeksonline ka thënë se dita e nesërme do të duhej të ishte festë, për shkak të demarkimit të kufijve, por sipas tij, ky pushtet arrogant ka vendosur që kufijtë e Kosovës të mos i vendos drejt. Ai ka thënë se nuk do të marrin pjesë në protesta, por do ta votojnë kundër kësaj vije kufitare që është vendosur nga komisioni shtetëror. Limaj po ashtu ka bërë të ditur se ka përkrahur iniciativën e Ramiz Kelmendit, por me një strategji paraprake dhe një platformë. Ai ka thënë se nuk është kundër demarkacionit me shtetet fqinje, por është kundër këtij variant dhe ka kërkuar që nesër të votohet kundër. Limaj ka thënë se është shkatërruar tradita e partive politike që kanë pasur konsensus për tema nacionale.

Indeksonline: Pse për afër një vit nuk u gjet asnjë zgjidhje për tejkalim e problemit të demarkacionit?

Limaj: Kjo çështje është krejt shtetërore dhe përgjigja jonë, sjellja jonë dhe trajtimi i kësaj teme ka qenë dashtë me pas sjellje dhe përgjigje shtetërore. Nuk besoj se kjo ka qenë një garë individuale, apo personale apo partiake. Ajo që unë e kam thënë dhe po e përsëris, partitë në pushtet që e kanë përgjegjësinë kryesore, për këta dhjetë muaj i kanë shpenzuar krejt në mënyrë të parëndësishme, në vend se të bëjnë të gjitha përpjekjet për të arritur dhe ndërtuar një konsensus rreth kësaj teme nacionale dhe shtetërore, dhe nesër të shkohet atje me festë. Sepse natyrshëm demarkacioni kur ratifikohet në mes të shteteve, në kushte normale do të duhej të ishte shumë festive, e posaçërisht në rastin e Kosovës, dhe në vend se të shkojmë formalisht ta votojmë atë ratifikim dhe do të ishte një ditë e mirë për Kosovën. Kjo është angazhimi që kam pasur nga dita e parë. Këtu as nuk mund ta mbyllni debatin, as nuk mund të përjashtoni nga debati, secili ka të drejt t’i jap mendimet e veta, e aq më tepër ekspertët dhe duhet të dëgjohen ato mendime që të mos mbetet asnjë pik dyshimi. Për këtë temë tepër të ndjeshme dhe me interes nacional. Fatkeqësisht ky koalicion nga dita e parë në mënyrë arrogante. Më së pari një proces jo transparent, kur ka nis të bëhet publike ka pas sjellje arrogante, ai e ka thelluar me një polarizim të panevojshëm, qoftë mes bllokut politik, por ky polarizim fatkeqësisht ka ndodhë edhe te qytetarët e Kosovës.

Indeksonline: Është bërë një vit kur demarkacioni është pjesë e pandashme e jetës së njerëzve. Mendoni se ka pas ndonjë variant tjetër për tejkalimin  këtij problemi dhe a është lodhur qytetari me këtë temë?

Limaj:  Nuk është çështje lodhje, është çështje sjellje. Qytetarët do të duhej të lodheshin nga sjellja, qasja që ky pushtet i bënë temave nacionale. Besoj që traditën që e kemi ndërtuar në Kosovë, që për tema të mëdha të ndërtohen konsensus dhe bashkëveprim, bashkëbisedim të gjitha grupeve politike, ky pushtet këtë e ka rrënuar, një ndër të arriturat më të mëdha të pas luftës. E ka prish harmonin mes partive politike. Qëndrimet rreth kësaj, mos të harrojmë jemi duke folur për një temë shtetërore, natyrisht që ka shqetësime, por përfundimi do të duhej të ishte në interes të Kosovës dhe besoj që të gjithë pajtohemi me këtë.

Indeksonline: Nesër do të jeni në Kuvend. Nuk keni paralajmëruar se do të protestoni?

Limaj: Nesër do të jemi në Kuvend, do të jemi kundër dhe qëndrimi jonë është i qartë. Nesër në Kuvend do të kontribuojmë edhe një herë me diskutimet tona për ta kundërshtuar këtë variant, gjithmonë po them këtë variant, sepse ratifikimi i kufijve me shtetet fqinje është interes i Kosovës, por duke respektuar territorin tonë dhe duke hequr çdo dilemë. Ne do të shkojmë në Kuvend dhe do të votojmë kundër.

 Indeksonline: Nuk do të dilni në protestë me Vetëvendosjen?

Limaj: Ne nuk kemi thirrur protestë dhe nuk do të dalim në protestë. Besoj që qëndrimi ynë është i qartë. E drejt e çdo qytetari është të protestojë, Nisma nuk është organizatore.

Indeksonline: Janë arrestuar 6 aktivistë të Vetëvendosjes që po dyshohet se kanë gjuajtur me granat Kuvendin e Kosovës. Keni ndonjë opinion për këtë çështje?

Limaj: Unë besoj që të gjithë ne duhet të jemi të kujdesshëm, sepse nuk duhet të ndërhyjmë në organet e drejtësisë. Ne duam që Policia e Kosovës ta kryej punën e vetë në mënyrë profesionale dhe t’iu lihet organeve të drejtësisë të na informojnë.

Indeksonline: Gjendja e sigurisë nuk është aq e mirë në Kosovë. Nesër mendoni se do të duhej të ishte ditë e qetë, në aspektin e sigurisë?

Limaj: Unë pres që nesër në Kuvend të mos votohet dhe deputetet nuk do t’i nënshtrohen diktateve të partive politike, por të votojnë ashtu si janë zgjedhur nga populli ta përmbushin detyrën e tyre ashtu siç e kanë nënshkruar betimin. Nesër me votë duhet të hedhet poshtë dhe jam i bindur se nuk do të kalojë ky variant i demarkacionit. Do të doja sinqerisht të kishim nesër festë, por dikujt duhet t’i tregohet gabimi dhe Kosova të fillojë një jetë të qetë pa tensione dhe përplasje prej atyre që krejt këtë çështje kanë mundur ta zgjedhin pa pasur nevojë të vihet deri këtu.

Indeksonline: Deputeti Ramiz Kelmendi provoi t’i mbledh liderët e partive politike por nuk morën pjesë. Pse dështoi kjo iniciativë?

Limaj: Unë e përshëndes çdo iniciativë. Por më vjen keq pse nuk ndodhi ai takim. Për të respektuar çdo deputet ne jemi të gatshëm të ulemi të debatojmë, por natyrisht me një marrëveshje paraprake. Kështu qëçdo përpjekje për të gjetur zgjidhje ne e përshëndesim.

Indeksonline: Demarkacioni në bazë të deklaratave të deputetëve zor që do të kalon. Mendoni se duhet të shtyhet apo të dërgohet në arbitrazh?

Limaj: Së pari duhet të hidhet poshtë ky variant, dhe pastaj janë të hapura të gjitha rrugët e tjera. Edhe në arbitrazh edhe mund të bëhet një komision i ri dhe ku ka vërejtje të përmirësohen. Kështu që hapi i parë nesër është ne ta kundërshtojmë me votën tonë