Fatmir Sejdiu tregon arsyet pse dha dorëheqje nga strukturat e LDK-së

18.05.2017 21:29:38

Ish-presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryetarit të Nderit të LDK-së.

 

Sejdiu përmes një postimi në Facebook ka sqaruar arsyet e marrjes së këtij vendimi.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, tash e sa vjet ka zhvilluar politika që janë në kundërshtim esencial me programin e saj burimor dhe në veçanti ka vepruar në mbylljen e mendimit të lirë si dhe përndjekjen e gjithë atyre që kanë menduar ndryshe nga vullneti i lidershipit të saj”, shkruan Sejdiu.

Postimi i plotë i Sejdiut:

Të dashur miq,

Edhe pse i paftuar si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryetar Nderi i LDK-së, sot mora pjesë në mbledhjen e këtij Këshilli, në të cilin do të duhej të debatoheshin çështje të rëndësishme, në kuadër të të cilave çështja e koalicionit parazgjedhor, si dhe lista e kandidatëve të LDK-së për deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Sikur edhe më herët, Kryetari i LDK-së dhe njerëzit përreth tij nga Kryesia, sikur që kanë bërë praktikë, pa respektuar Statutin e LDK-së, kanë lidhë këto koalicione parazgjedhore dhe kanë ndërtuar listë të deputetëve duke anashkaluar personalitete të rëndësishme dhe të dëshmuara të LDK-së si dhe duke futur emra që absolutisht nuk kanë pasur lidhje me LDK-në, bile edhe kundërshtarë të saj.

Lidhja Demokratike e Kosovës, tash e sa vjet ka zhvilluar politika që janë në kundërshtim esencial me programin e saj burimor dhe në veçanti ka vepruar në mbylljen e mendimit të lirë si dhe përndjekjen e gjithë atyre që kanë menduar ndryshe nga vullneti i lidershipit të saj.

Aq më tepër, ka ofruar në përgjegjësi të larta partiake dhe shtetërore njerëz që më së paku mendojnë për zhvillimin pozitiv të saj dhe të atillë që nuk kanë kurajon dhe guximin qytetar dhe politik që të ju kundërvihen këtyre rrjedhave të liga.

Si pasojë e kësaj, LDK, ashtu siç kishte vepruar me papërgjegjësi në ndërtimin e koalicionit të deritashëm, si rezultat i “metamorfozës shtetformuese” të liderit të saj, pas ortekut të sharjeve të stilit të tij, pokështu u ndëshkua nga partnerët e tij duke e dëmtuar dinjitetin e LDK-së.

Duke vërejtur se kjo sjellje e papërgjegjshme e lidershipit të LDK-së është duke vazhduar pa ndërprerë dhe se mekanizmat e LDK-së janë shëndrruar në instrumente që vazhdimisht keqpërdoren prej tij si dhe duke mos parë gatishmërinë që të ndërprehet kjo praktikë antidemokratike, sot kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e Kryetarit të Nderit dhe anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.(sic.)