Faza Play Off/ Italia për të thyer ‘tersin’ Suedi

10.11.2017 18:18:47

Hera e fundit kur përfaqësuesja italiane e futbollit nuk ka marrë pjesë në fazën finale të një kampionati botëror është regjistruar në Suedi 1958, ndërsa rasti i fundit kur “të kaltrit” kanë dështuar për të qenë pjesë e fazës finale të një kampionati evropian është sërish në Suedi, më 1992-shin.

Në të dy rastet pra mungesa e Italisë përkon me aktivitete tepër të rëndësishme, të organizuara nga vendi skandinav, megjithatë si për ironi të fatit, 4 herë kampionët e rruzullit do t’i luajnë shanset e tyre për botërorin e ardhshëm ‘Rusi 2018’, pikërisht ndaj “verdhebluve”.

Më datë 17 tetor, në selinë e FIFA-s, në Zyrih, shorti e vendosi ekipin e Venturës përballë përfaqësueses që i druheshin më shumë. Në fakt pavarësisht se Irlanda e Veriut pozicionohet në vendin e 23-të në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, duke pasur njëkohësisht edhe renditjen më të mirë sa i përket skuadrave të vazos së dytë, në Play off Italia do të masë forcat kështu me ekipin më të rrezikshëm të kësaj faze.

Deri në fundin e muajit gusht, pas 6 ndeshjeve të para në Grupin A, kombëtarja skandinave ishte në kuotë të njëjtë pikësh 13, me skuadrën e Francës, që u shpall nënkampione në evropianin e fundit, event në të cilin ekipi i Didier Deschamps ishte vend organizator, gjithsesi Suedia u përball si e barabartë me “trikolorët”, duke fituar 2-1 në Solna, pasi u mund më parë me po të njëjtat shifra në Saint-Denis.

Humbjet në Bullgari dhe Holandë krijuan në fund diferencën e 4 pikëve me Francën, sidoqoftë për hir të së vërtetës “verdheblutë” lanë prapa “portokallinjtë”, në rivalitetin për fazën play off, jo falë ndeshjeve direkte, por pikërisht falë suksesit 8-0 në kryeqytet ndaj Luksemburgut. Nëse Suedia u kualifikua për këtë fazë kundrejt “tulipanëve” vetëm në sajë të golaverazhit, Italia në krahun tjetër pati fatin e keq që u shortua me Spanjën dhe në fakt ishin pikërisht dy përballjet ndërmjet tyre që në fund bënë edhe diferencën e madhe në Grupin G.

Takimi do të luhet në Stadiumin ‘Friends Arena’, në veri të Stockholm-it dhe trajneri Janne Andersson pritet të luajë me skemën 4-4-2, me dyshen Emil Forsberg-Sebastian Larsson nga krahët, ndërsa përpara do të luajnë Marcus Berg dhe Ola Toivonen. Suedia përbën një kërcënim serioz për vetë mënyrën tradicionale, teksa vazhdon të mbështetet te zbritjet e shpejta dhe përgatitja e lartë fizike, pa lënë aspak mënjanë goditjet standarde dhe lojën në ajër, ku Italia ka shfaqur vërtetë probleme.

Në krahun tjetër Gian Piero Ventura me shumë gjasa nuk do të ketë për shkak të një dëmtimi në gju, Simone Zaza-n, kështu që në sulm “të kaltrit” mund të paraqiten me dyshen Immobile-Belotti. Italia shpreson shumë që të përfitojë në kundërsulm dhe nga ndonjë hapësirë e mundshme që mund të lënë vendasit, duke pasur parasysh edhe cilësitë që ka në qendër me lojtarë të tillë si Insigne, Verratti, Rossi dhe Candreva.

Ndeshja e parë pra do të zhvillohet në Solna, në orën 20:45 dhe do të arbitrohet nga gjyqtari turk Cuneyt Cakir, ndërsa takimi i kthimit do të luhet të hënën e ardhshme në Stadiumin ‘San Siro’. Të dy takimet do të transmetohen drejtëpërdrejtë nga Supersport 2.