FDH: Të identifikohen personat që kryen aktin e shëmtuar në Grackë të Lipjanit

02.09.2016 18:49:06

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë), ka shprehur shqetësim në lidhje me aktin vandal të përdhosjes së pllakës përkujtimore të viktimave civile të vrarë gjate vitit 1999 në Grackë të Vjetër, komuna e Lipjanit, duke përfshirë emrat e katërmbëdhjetë korrësve të vrarë më 23 korrik të të njëjtit vit.

“Ky incident ka shkaktuar shqetësim tek banorët e fshatit, komuniteti serb ne Kosovë, sidomos te familjarët e viktimave, për nder të të cilëve është ngritur kjo pllakë përkujtimore. Këto incidente mund të ndikojnë në rritjen e ndjenjës së pasigurisë tek banorët e fshatit si dhe në marrëdhëniet ndëretnike, të cilat kohëve të fundit kanë qenë dukshëm të përmirësuara.

FDH Kosovë apelon policinë e Kosovës dhe institucioneve përkatëse, që të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme që të gjinden kryerësit e këtij akti të shëmtuar dhe të njëjtit të sillen para drejtësisë”, thuhet në njoftimin e FDH-së.

Në mëngjesin e datës 2 shtator 2016 punëtorët e shkollës kanë vërejtur se pllaka përkujtimore për viktimat e fshatit Grackë e Vjetër është dëmtuar me mjet të fortë si dhe në murin ku është vendosur pllaka ka qenë i shkruar grafiti me fjalën “hakmarrje” në gjuhën shqipe.