Federalizimi i Maqedonisë si çeçenizim i shqiptarëve në Maqedoni?

11.12.2016 16:47:18

Nga Rexhep Kastrati

Zjadin Sela në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ka forcuar qëndrimin e tij dhe të Zoran Zaevit për federalzimin e Maqedonisë. Në fakt, çështja e federalzimit të Maqedonisë është çështje që po diskutohet kaherë, kurse paraqitja e saj si qëndrim politik i një force politike, apo e një koalicioni parazgjedhor, i jep peshë më të madhe, pasi që tashmë nga një çështje e debatit publik, është bërë çështje dhe qëllim politik. Në këtë mënyrë, po bëhet gjithnjë e më e qartë se loja politike kundërshqiptare po merr kontura të një qasjeje në dukje ndryshe, por që është përplotësim i lojës së gjertanishme që e kanë paraqitur BDI dhe PDSH. Në fakt, sllavo-maqedonasit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të interesuar për ndarjen e Maqedonisë qoftë ndarjen e jashtme, qoftë ndarjen e brendshme, dhe këtë nuk e dëshmon fakti se edhe LSDM ka të njëjtën platformë të federalizimit të Maqedonisë, por për faktin se ndarjen e Maqedonisë e kanë paraqitur qysh gjatë luftës më 2001, por edhe më vonë nga qarqe akademike sllavo-maqedonase. Dhe është në interes të sllavomaqedonasve, për faktin se në këtë mënyrë legalizohet ndarja e brendshme e territorit shqiptar në Maqedoni, e që paraqet ricopëtim të tij, por edhe hap rrugën për ndarje të brendshme etnike dhe federalizuese edhe në rajon. Federalizimi i Maqedonisë do të pengonte barazinë e shqiptarëve në tërë Maqedoninë, do të pengonte barazinë institucionale dhe të përfaqësimit të tyre në institucionet qendrore dhe të sigurisë, si dhe do të legalizonte supremacinë e sllavomaqedonasve mbi shqiptarët. Është kështu për shkak se në teoritë politike dhe të së drejtës njihen disa forma të federalizimit, që nga federalizimi asimetrik e deri te federalizimi afër konfderalizmit, apo edhe federalizime të dobëta, dhe federalizime të forta, ashtu siç ka edhe nivele të ndryshme të autonomisë. Federalizimi asimetrik është federalizim në të cilin një apo disa njësi federale kanë kompetenca më shumë, sesa që kanë disa njësi federale të tjera. Ky lloj federalizimi ishte propozuar në prag të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, kur ishte propozuar që Sllovenia dhe Kroacia të kishin një raport asimtrik në raport me njësitë tjera të ish-federatës jugosllave, pra që të kishin një pavarësi më të madhe. Në anën tjetër, federalizimi asimetrik ka qenë edhe vetë federata jugosllave, e cila përbëhej nga tetë njësi: nga 6 republika dhe dy krahina, të cilat ishin të privuara nga disa të drejat dhe kompetenca që kishin republikat, edhe për shkak të statusit të tyre dual: edhe pjesë e Serbisë edhe pjesë e federatës, edhe për shkak të mosnjohjes së të drejtës për vetëvendosje. BRSS, po ashtu, ka qenë një federatë asimtrike, pasi që krahas republikave – shtete, ishin edhe republikat autonome. Rusia, është një shtet federal ku asimteria vazhdon të jetë veçori e saj. Në këtë kuptim, federalizimi i Maqedonisë do të paraqiste vetëm një izolim dhe devalvim të faktorit shqiptar në Maqedoni, duke e devalvuar popullin shqiptar nga një popull që është i barabartë për nga numri, ose më shumë se sllavo-maqedonasit, në një popull pakicë që u kufizohen të drejtat në nivel lokal, me të drejta të kufizuara në raport me sllavomaqedonasit dhe me pjesën tjetër të Maqedonisë. Për ta pasur më të qartë këtë, përveç atyre që thashë më lartë, duhet ta marrim shembullin e Qipros: edhe pse më 1974, turqit shpallën Republikën e tyre, ajo kurrë nuk arriti që të imponohet si faktor i barabartë me pjesën tejtër të Qipros, përaktësisht për bashkësinë ndërkombëtare ishte in-ekzistente. Në fakt,  Republika turke e Qipros më shumë izoloi turqit, sesa që ua hapi mundësitë e prospteritetit dhe të avancimit të tyre. Kurse një federalizim të barabartë, sipas të cilit Maqedonia do të përkufizohej si shtet federal që njeh dhe respekton përfaqësimin e barabartë të të dy njësive federale qoftë nëpërmjet zgjedhjeve të drejtapërdrejta, qoftë edhe nëpërmjet përfaqësimit me kuota, sllavomaqedonasit nuk do ta pranonin, sepse kjo do të paraqiste barazinë juridiko-kushtetuese të shqiptarëve, të cilin sllavomaqedonasit po e kundërshtojnë. Pra, një federalizim i Maqedonisë do të shndërronte shqiptarët përfundimisht në një popull të dorës së dytë, afërsisht sikurse çeçenët në raport me rusët. Në anën tjetër, federalizimi i Maqedonisë do të hapte rrugë edhe për federalizimin e Kosovës, dhe paraqitja zyrtare nga një forcë apo koalicion politik shqiptarësh në kushtet kur në Kosovë janë shtuar shumë angazhimet dhe provokimet serbe ndaj shtetit dhe institucioneve të tij, është vetëm zgjatim i të njëjtës platformë serbo-ruse që synon ndryshimet në rajon në dëm të shqiptarëve, për të cilat kam shkruar vazhdimisht, dhe të cilat nuk po i mohojnë më as vetë sllavo-ortodoksët. Pra, me federalizimin e Maqedonisë do të mund të kishim: 1. Ricopëtim të territorit shqiptar në Maqedoni; 2. Devalvim të faktorit shqiptar atje, pra shndërrim të tyre nga një popull në numër o i barabartë, o më shumë sesa sllavomaqedonasit, në një popull të dorës së dytë me të drejta të kufizuara dhe të përgjysmuara, përkatësisht në çeçenë të Maqedonisë; 3. Krijim të precedentit për federalizim të Kosovës. Dhe në gjithë këto, përsëri shqiptarët do të ishin më të humburit do të ishiin shqiptarët në rajon. Për këto dhe arsye të tjera, shqiptarët në Maqedoni do të duhej të hiqnin dorë nga konceptet sllavo-ortodokse federaliste dhe për ndryshim kufijsh dhe të përqëndrohen, të angazhohen dhe të këmbëngulin për të drejta të plota dhe të barabarta të tyre atje: 1. gjuha shqipe gjuhë zyrtare; 2. Barazi në përfaqësimin e tyre të plotë dhe të barabartë në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike; 3. Barazi në përfaqësimin diplomatik të Maqedonisë; 4. Barazi si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal; 5. Barazi në ndarje të buxhetit dhe të lirive ekonomike; 6. Barazi edhe në simbolikën dhe heraldikën kombëtare; 7. Rishikim i kufijve administrativë të komunave, përkatësisht korigjim i dëmeve të shkaktuara ndaj shqiptarëve me ndarjen aktuale të komunave dhe vendbanimeve shqiptare, apo me shumicë shqiptare. Dhe tërë këto duhet të fillojnë me: 1. Qëndrim të fortë dhe unik të faktorit shqiptar në Maqedoni lidhur me kushtet për koalicion me partitë sllavomaqedonase; 2. Regjistrim profesional dhe të saktë të popullsisë.